Ndërlidhjet

FJALIMI I TADIQ PA REAGIME TË PAPRITURA NË BEOGRAD


Fjalimi i presidentit të Serbisë Boris Tadiq në Këshillin e Sigurimit nuk shkaktoi ndonjë reagim të papritur në Beograd.
Njohësit e rrethanave politike mbeten në qëndrimet e tyre se politika për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, të cilën po e ndjekin presidenti Tadiq dhe kryeministri Vojisllav Koshtunica, nuk do të sjellë rezultate.
Ata madje thonë se nuk e kanë ndjekur as seancën e Këshillit të Sigurimit, e cila u transmetua në televizionin shtetëror. Një përgjigje e tillë është mjaft simptomatike, nisur nga fakti se të gjitha partitë politike në Serbi, në plan të parë e vënë çështjen e Kosovës.
Andreja Mladenoviq, zëdhënës i Partisë Demokratike të kryeministrit Vojisllav Koshtunica, për Radion Evropa e Lirë deklaroi:
"Presidenti i paraqiti qëndrimet e ekipit negociator dhe të Kuvendit. Asgjë të re. Kjo është ajo që u miratua si platformë e ekipit negociator në pajtim me rezolutën e Kuvendit të Serbisë," thotë Mladenoviq.
Sllobodan Samarxhiq, këshilltar i Koshtunicës, tha se negociatat e Vjenës do të duhej t'u jepnin serbëve të Kosovës më shumë pushtet në nivelin lokal, lidhje më të mirë të komunave me shumicë serbe dhe lidhje të tyre direkte me Beogradin", thotë Mlladenoviq.
Po çfarë mendon Çedomir Antiq, këshilltar i Miroljub Labus, kreut të partisë G 17.
"Presidenti Tadiq në Këshillin e Sigurimit vetëm i përsëriti fjalët e kryeministrit Koshtunica të thëna para 7-8 muajve. Ai tha se Serbia, për herë të parë pas kaq shumë viteve, mund të llogarisë në mbështetjen e fuqive të mëdha për dëshirat e saj, por Tadiq nuk tha se shteti ynë u ka ofruar shqiptarëve atë që askush në botë nuk u ka ofruar pakicave. Ne u kemi ofruar atyre pavarësi të plotë në pushtetin ligjvënës dhe gjyqësor, vetëm që t'i korruptojmë udhëheqësit e serbëve të Kosovës për ta ruajtur gjendjen aktuale, e cila popullin tonë e çon drejt shkatërrimit", thotë Çedomir Antiç nga G 17.
Jelena Miliç nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare, në komentet e saj për Radion Evropa e Lirë, e kritikon ashpër politikën e Beogradit zyrtar ndaj Kosovës, kurse fjalimin e presidentit Boris Tadiq në Këshillin e Sigurimit, e quan "steril dhe tashmë të njohur".
"Me këto qëndrime të çimentuara, që kërkojnë respektim të përpiktë të së drejtës ndërkombëtare, ekipit tonë negociator, i cili është pasqyrë e gjendjes analitike, kadrovike dhe i resurseve të aparatit tonë shtetëror, edhe më shumë iu zvogëlua hapësira që nga negociatat të nxjerrë maksimumin e mundshëm. Mendoj se fokusimi duhej të bëhej në pronën private dhe shoqërore të serbëve të Kosovës. E gjitha që u tha ishte shumë e përgjithësuar dhe e papërcaktuar", thotë Miliç, për të vazhduar.
"Gjithashtu mendoj se të gjithë zyrtarët duhej në mënyrë më eksplicite të prononcohen ndaj thirrjes dhe propozimit të Tomisllav Nikoliq për okupimin e mundshëm të Kosovës. Kjo deklaratë nuk ka kurrfarë peshe në perëndim, por ka peshë të madhe në planin e brendshëm. Si do ta shpallë Kuvendi ynë gjendjen e okupimit të Kosovës nga forcat, tek të cilat Serbia synon të anëtarësohet? Kjo vetëm mund ta pengojë Serbinë në rrugën e saj drejt integrimeve, dhe mund të ketë pasoja afatgjata. Druaj se deklarata e radikalit Nikoliq dhe heshtja e Vojisllav Koshtunicës, janë një shenjë e konsenzusit mes dy partive, që Serbinë mund ta fusin në një izolim të thellë me pasoja të papara", përfundon Jelena Miliç.
XS
SM
MD
LG