Ndërlidhjet

PËR KTHIM TË QËNDUESHËM KËRKOHEN MJETE FINANCIARE


Albana Isufi, Prishtinë

Mungesa e mjeteve financiare pengon kthimin e të zhvendosurve.
Zëvendësdrejtori i Zyrës për Kthim dhe Komunitete në UNMIK, Kilian Kleinschmidt, thotë se duhen qindra miliona euro për të mundësuar kthim të qëndrueshëm. Buxheti i qeverisë për kthimin këtë vit është 6.8 milionë euro.
“S’kemi burime financiare dhe ne kemi thënë se tash për kthim klasik kemi një hendek financiar prej 35-40 milionë euro dhe këto para kurrë nuk do të vijnë vetëm nga donacionet, por duhet të vijnë si kombinim i financave në bazë të tregut, kredive. Këtopara nuk mund të priten vetëm si donacion dhe mendoj se është naive të pritet siç është pritur deri tani”, thotë Kleinschmidt.
Zëvendësministri i Kthimit Nazmi Fejza, konsideron se mungesa e zhvillimit ekonomik është një faktor tjetër që pengon kthimin.
“Çështjet ekonomike janë çështje themelore, të cilat e ngadalësojnë, e bëjnë më të ngadalshëm procesin e kthimit të qytetarëve."
Kleinschmidt thekson se statusi i pazgjidhur i Kosovës bën që të zhvendosurit të hamenden kur marrin vendimin për kthim.
“Tash njerëzit po presin. Disa njerëz po inkurajohen dhe po vendosin që të kthehen dhe thonë se nuk u intereson se çfarë u thonë politikanët dhe kjo është një e mirë. Ne kemi qindra familje, që vetëm presin sa t’u ndërtohen shtëpitë, sa t’u kthehet pasuria dhe të kthehen. Por, siç mund të presim statusi duhet të ofrojë vizion dhe të ardhme të qartë. Njerëzit, familjarët duhet të marrin vendime nëse do të qëndrojnë aty ku janë, ose do të kthehen”, thotë Kleinschmidt, duke shtuar se institucionet duhet t’u ndihmojnë të zhvendosurve për të marrë më lehtë vendime.
“Po rishikojmë dhe ndryshojmë radikalisht politikën e kthimit që është zhvilluar për një kohë të gjatë. Për herë të parë i kemi të gjithë aktorët kryesorë duke punuar së bashku dhe jo vetëm institucionet qëndrore, por edhe autoritetet lokale, shoqërinë civile, të cilët po mundohen të gjejnë rrugën e drejtë”, thotë Kleinschmidt, i cili refuzon flasë rreth shifrave të të zhvendosurve apo rreth numrit që pritet të kthehen.
“Mendoj se është e rrezikshme të merremi vetëm me shifrat. Njerëzit duhet të marrin në konsideratë zhvillimet. Njerëzit duhet të bëjnë zgjedhje, bisedimet për statusin po fillojnë dhe të flitet për numra është e rrezikshme në këtë moment.
Unë pres, siç e kanë kuptuar shumë njerëz, se i vetmi vend për ta është që të fillojnë të ndërtojën jetën në Kosovë. Dhe kjo është inkurajuese të shihet, por askush nuk duhet të presë kthim masiv”, thotë Kleinschmidt.
Ndër sfidat më të rënda për institucionet e Kosovës është krijimi i kushteve të përshtatshme për kthimin e të zhvendosurve, që kryesisht janë të përkatësisë etnike serbe.
Kjo gjë është kërkuar vazhdimisht nga bashkësia ndërkombëtare dhë është ritheksuar në takimin e fundit të Këshillit të Sigurimit.

XS
SM
MD
LG