Ndërlidhjet

logo-print

DE GUCHT: OSBE-JA E GATSHME PËR PRANI AFATGJATË NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Organizata për Bashkëpunimin dhe Sigurinë në Evropë do të jetë e pranishme në Kosovë edhe pas zgjidhjes së statusit, për të ndihmuar jetësimin e procesit të decentralizimit, tha sot në Prishtinë, Ministri i Jashtëm i Belgjikës, si kryesuese e radhës e OSBE-së, Karel de Gucht. Ai i bëri këto komente sot në Prishtinë, pas një takimi me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu. Zoti de Gucht tha se OSBE-ja do ta vazhdojë përkrahjen për institucionet e Kosovës:
"Ne si OSBE jemi të gatshëm për një prani afatgjatë në Kosovë dhe për të ndihmuar dhe zbatuar një gjendje vërtet demokratike dhe pluraliste," tha zoti de Gucht, duke shfaqur shpresën se krahas bisedimeve për të përcaktuar statusin, në Kosovë do të vazhdojë edhe përmbushja e standardeve. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se
Kosova synon përmbushjen e vullnetit politik të popullit të saj:
"Çështja e statusit të Kosovës është nga çështjet themelore dhe ne këmbëngulim që ajo të jetë e realizuar në bazë të vullnetit politik të popullit të Kosovës, që nënkupton pavarësinë e Kosovës dhe po ashtu integrimin e Kosovës në proceset euroatlantike, natyrisht duke përmbushur këtë pjesë të detyrave tona," tha presidenti Sejdiu, i cili sot ka pritur edhe shefin e Zyrës Franceze në Prishtinë, Thierry Reynard, i cili i solli presidentit Sejdiu urimet e kryetarit francez Jacques Chirac për zgjedhjen në postin e ri. Zoti Reynard tha se Franca shpresonte se zoti Sejdiu dhe Kosova në rrugën drejt statusit të ardhshëm do të mbështeten edhe në trashëgiminë politike që ka lënë ish-presidenti Ibrahim Rugova:
"Nga e ardhmja e Kosovës, e cila mendojmë se duhet të jetë në pajtim me vullnetin e shumicës së popullit të Kosovës, do të mund të përfitojnë edhe të gjitha komunitetet pakicë që duan të jetojnë në Kosovë, " tha shefi i Zyrës Franceze, Thierry Reynard, ndërkohë që presidenti Sejdiu tha se qëndrimi francez për të ardhmen e Kosovës ishte shumë i rëndësishëm, prandaj edhe institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme se duhet të japin garanci për mbrojtjen e pakicave:
"Në këtë drejtim, një qëndrim i qartë si kërkesë, që është edhe e jona në këtë proces, që të japim garanci të fuqishme për mbrojtjen e pakicave, që është kusht esencial dhe i mbështetur për realizimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës, për pavarësi", tha presidenti Sejdiu, duke e siguruar diplomatin francez se Kosova është e përkushtuar për të përmbushur standardet dhe për të siguruar pozitë më të mirë për pakicat.

XS
SM
MD
LG