Ndërlidhjet

“Goditja e së vërtetës”


The Economist

Që prej vjeshtës së kaluar, bota e jashtme ka dërguar dy mesazhe të ndara rreth bisedimeve për të ardhmen e Kosovës, të cilat pritet të fillojnë më 20 shkurt. Mesazhi i parë ishte se bisedimet do të zhvillohen pa paragjykime; mesazhi i dytë ndërkaq i dhënë privatisht ishte se Kosova do të bëhej e pavarur dhe se Serbia duhet t’i ndihmojë 100 mijë serbët e Kosovës që ta pranojnë marrëveshjen, nëse duan të mbeten në Kosovë. Këtë muaj mesazhi është dhënë në një formë më të hapur dhe serbët duket se janë të shokuar. Disponimin në Graçanicë gazeta e përshkruan me një depresion fatal, sipas fjalëve të drejtorit të një radiostacioni lokal, Zhivojin Rakoçeviq. Rada Trajkoviç, një prej udhëheqësve të komunitetit serb, nuk mund t’ia pranojë vetes këtë realitet. Ky “sekret” është zbuluar nga John Sawers, drejtori politik i Ministrisë së Jashtme Britanike, i cili u ka thënë serbëve të Kosovës, përfshirë këtu edhe zonjën Trajkoviç, se Grupi i Kontaktit ka vendosur për pavarësinë e Kosovës dhe se serbët duhet t’i shfrytëzojnë të mirat që ofron një status i këtillë. Në Vjenë, në zyrën e kryenegociatorit ndërkombëtar, Marti Ahtisaari, ndihej një kënaqësi rreth mesazhit të qartë të diplomatit britanik, i cili e ka thënë të vërtetën që duhej thënë. Në Kosovë, shumica shqiptare ndjen kënaqësi nga sinqeriteti i diplomatit britanik, në Beograd ndërkaq, reagimet kanë qenë histerike. Tomislav Nikoliç, udhëheqës i radikalëve ultranacionalistë, ka thënë se nëse Kosova shkëputet, ajo do të shpallet territor i okupuar. Presidenti serb, Boris Tadiç, në mënyrë joreale ka propozuar që zgjidhja e statusit të shtyhet për 20 vjet. Por, në Vjenë, diplomatët kanë tërhequr vërejtjen se serbët nuk do t’i bënin vetes shërbim të mirë dhe kjo nuk do të ishte hera e parë, nëse vendosin të qëndrojnë prapa kokave të nxehta siç është zoti Nikoliç.

XS
SM
MD
LG