Ndërlidhjet

logo-print

BARROSO DHE REHN VIZITOJNË KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pa e paragjykuar rezultatin e bisedave për statusin, e ardhmja e Kosovës i takon Evropës, ndërsa Prishtina dhe Beogradi duhet të përgatiten që të bëjnë kompromise zemërgjera në të mirë të të ardhmes, tha sot në Prishtinë, kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. Ai i ka bërë këto komente sot në Prishtinë, pasi i shoqëruar nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oli Rehn, ka biseduar me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, me kryeministrin Bajram Kosumi, si dhe me ekipin negociues të Kosovës dhe me përfaqësues të serbëve të Kosovës.
"Cilido që të jetë rezultati i negociatave, e ardhmja e Kosovës i takon Evropës, besojmë ne," tha zoti Barroso, duke shpjeguar se kishte ardhur për të shprehur mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për negociatat lidhur me statusin dhe për punën e kryenegociatorit Marti Ahtisari.
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se institucionet e Kosovës janë të inkurajuara për mbështetjen për pavarësi dhe për rrugën evropiane të Kosovës, për çka e kishin mbështetur Barroso dhe Rehn:
"Na inkurajon fakti posaçërisht për një mbështetje gjithnjë e më të fuqishme ndërkombëtare që i jepet pavarësisë së Kosovës si opsion real dhe kemi një premtim të fuqishëm nga zotërinjtë e çmuar se do të ketë mbështetje që Kosova të hapërojë shumë shpejt në këtë drejtim".
Në anën tjetër, zoti Jose Manuel Barroso tha se në Prishtinë dhe në Beograd kishte ardhur me porosi të qarta. Kërkova nga Beogradi dhe nga Prishtina që të angazhohen në mënyrë konstruktive për ta bërë procesin e statusit të suksesshëm, tha Barroso:
"Ka ardhur koha që të dyja palët të përgatiten për të bërë kompromise zemërgjera, që do të duhet të bëhen nga të gjitha palët dhe jo vetëm nga njëra palë," tha kryetari i Komisionit Evropian Barroso, për të përmendur posaçërisht nevojën e angazhimit për të përmirësuar pozitën e pakicave, për të realizuar kthimin dhe për ta çuar përpara procesin e decentralizimit.
Presidenti Sejdiu tha se pikërisht këto kërkesa të bashkësisë ndërkombëtare po trajtoheshin më seriozisht nga institucionet e Kosovës:
"Në këtë drejtim posaçërisht ato garanci që kanë të bëjnë me trajtimin thelbësor konform standardeve më të larta ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive njerëzore dhe të drejtave të komuniteteve, edhe pakicat që janë në Kosovë, që e duan Kosovën dhe që jetojmë bashkë me ta",tha presidenti Sejdiu, ndërkohë që Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oli Rehn tha se nuk kishte dyshim ndaj përkushtimit të Kosovës për të përmbushur standardet e kërkuara dhe ndaj rrugës evropiane të Kosovës:
"Pjesë e kësaj është evropeizimi i brezit të ardhshëm dhe i këtij brezi të të rinjve, prandaj ne po bëjmë përpjekje për të liberalizuar regjimin e vizave për hyrje në vendet e Bashkimit Evropian, për studentët, shkollarët dhe të rinjtë nga Kosova dhe rajoni," tha zoti Rehn, duke shfaqur shpresën se kjo do të bëhet gjatë kësaj periudhe kur kryesuese e radhës është Austria.
Barroso dhe Rehn e kanë vazhduar turneun e tyre në rajon, duke vizituar Shkupin.

XS
SM
MD
LG