Ndërlidhjet

FAMILJET E PERSONAVE TË ZHDUKUR E DËRGOJNË BARAYBAR PARA DREJTËSISË


Albana Isufi, Prishtinë

Fati i rreth 2500 personave të zhdukur nuk dihet ende. Por, probleme janë krijuar edhe me ato pak kufoma që janë kthyer nga varrezat masive në Serbi. Asociacioni i Shoqatave të Personave të Zhdukur po akuzon shefin e Zyrës për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, Hose Pablo Baraybar, se ka marrë pa leje 400 eshtra të viktimave për të bërë kërkime shkencore. Dyshohet se eshtrat janë marrë në periudhën tetor-dhjetor të vitit 2003. Por, zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, hedh poshtë këto akuza.
“Pikë së pari në këtë periudhe është bërë autopsia e një numri të madh të mbetjeve mortore. Që nga ajo kohë mostrat që u janë marrë mbetjeve mortore kanë mbetur në depon e morgut në Rahovec dhe atje janë edhe sot. Është bërë një rishikim administrativ, për të parë nëse këto punë janë kryer sipas procedurave dhe është vërtetuar se ato kanë qenë korrekte. Kështu që akuzat për vjedhjen e eshtrave janë tërësisht të pavërteta”, tha Singh.
Tomë Gashi, avokati i Asociacionit të Shoqatave të Personave të Zhdukur, që edhe ka bërë kallëzimin penal para një prokurori ndërkombëtar, është i bindur se provat e ofruara janë të vërteta.
“Jo, provat nuk janë të pavërteta, sepse provat kryesore janë dëshmi të ekspertëve vendorë, të cilët kanë punuar në marrjen e këtyre eshtrave, temë e të cilit është kallëzimi penal”.
Tomë Gashi thotë se bëhet fjalë për ekspertët Shefki Gashi dhe Shpresa Ahmeti. Zëdhënësi Neeraj Singh thotë se personat në fjalë janë pezulluar nga puna.
“Personat, që po i bëjnë këto akuza janë ish anëtarë të stafit të Zyrës për Persona të Pagjetur dhe Mjekësisë Ligjore. Tre nga ta janë larguar nga puna javën ose 10 ditët e kaluara. Këta kanë bërë akuzat e ngjashme edhe sa kanë qenë në punë, duke mos i publikuar ato në media. Më pas është kryer një hetim i brendshëm nga Departamenti i Drejtësisë dhe pas 9 muajsh të hetimeve këto akuza kanë rezultuar si të pavërteta”, thotë Singh.
Gashi thotë se ngritja e këtij problemi nga ekspertët vendorë është injoruar nga administrata ndërkombëtare.
“Ata janë munduar që në mënyrë institucionale t’i njoftojnë strukturat përgjegjëse për problemin, për shkak se ata nuk kanë ditur fillimisht arsyen e grumbullimit të këtyre eshtrave dhe pasi që nuk kanë gjetur zgjidhje tjetër e kanë njoftuar Asociacionin Familjarëve të Personave të Zhdukur në Kosovë”.
Sido që të jetë, kallëzimi penal tashmë ka arritur në Prokurorinë e Qarkut. Por, si personel i UNMIK-ut, Hose Pablo Baraybar ka imunitet dhe para se të nisë ndonjë proces gjyqësor kundër tij, duhet shqyrtuar heqja e imunitetit.
“Nuk është diçka që mund ta komentoj, sepse i mbetet prokurorit si dhe gjykatës të bëjnë përcaktimin kushtetues rreth imunitetit”, thotë Neeraj Singh.
Në bazë të Kodit Penal për veprën penale me të cilën akuzohet Baraybar, dëmtimi i varrezave, dënimi është 3 vjet burg.

XS
SM
MD
LG