Ndërlidhjet

logo-print

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR BISEDIMET NË VJENË


Kufijtë në mes të Kosovës dhe Serbisë, nga Misioni i Kombeve të Bashkuara quhen kufij administrativë, por ato duken si kufij ndërkombëtarë dhe sipas të gjitha shenjave të deritashme, të tillë do të jenë, shkruan në numrin e sotëm Financial Times. Sipas gazetës, pasiguria që ka mbizotëruar në Kosovë, që prej hyrjes së forcave ndërkombëtare tash është duke u zhdukur gradualisht, me faktin se komuniteti ndërkombëtar mëton t’i japë fund administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe të përcaktojë një formë të pavarësisë së kushtëzuar deri në fund të këtij viti. Rrugëtimi drejt pavarësisë mund të provokojë dhunën në Kosovë dhe mbase edhe në shtetet e tjera përreth, por këto shqetësime duken gjithnjë e më të vogla përballë faktit se status quo-ja në Kosovë është e paqëndrueshme. Gazeta shkruan se aktualisht debate të ndryshme janë duke u zhvilluar për formën e pavarësisë që do të ketë Kosova, megjithëse Grupi i Kontaktit pajtohet se duhen garantuar të gjitha të drejtat për pakicat, se forcat paqeruajtëse duhet të mbeten dhe se duhet vendosur një mision civil ndërkombëtar, mbase i udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
E përditshmja tjetër The Guardian, shkruan se udhëheqësit evropianë shpresojnë se mund ta blejnë kundërshtimin e Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës, me premtimet për një integrim më të zgjeruar dhe për një anëtarësim eventual. Edhe kjo gazetë shkruan se me fillimin e sotëm të bisedimeve që do të përcaktojnë të ardhmen e Kosovës, në prapaskenë janë duke u zhvilluar aktivitete të shtuara diplomatike, të cilat flasin se fuqitë perëndimore tashmë kanë vendosur që deri në fund të vitit të shpallin pavarësinë e Kosovës. Megjithë pakënaqësitë e Këshillit të Sigurimit në përmbushjen e standardeve demokratike dhe të të drejtave të njeriut në Kosovë, gazeta shkruan se status quo-ja është e paqëndrueshme dhe si e tillë, nxit frustrimin e shqiptarëve dhe kundërshtimin e nacionalizmin e serbëve. Që të gjitha bashkë përbëjnë recentën për një konflikt të ardhshëm, shkruan Guardian.
E përditshmja franceze Liberasion, ndërkaq shkruan se Kombet e Bashkuara do të mund të impononin zgjidhjen për Kosovën pasi bisedimet që kanë filluar sot duken të pamundura. Gazeta shkruan se sa më parë që të zgjidhet çështja e pakicës serbe në Kosovë nëpërmjet decentralizimit, aq më parë do të fillojë adresimi i çështjes thelbësore, pavarësisë. Hapësira e negociatorëve serbë për manovrime është zvogëluar për shkak të dobësimit të përkrahjes politike ndaj forcave reformiste në Serbi, të cilat dolën në sipërfaqe pas rënies së pushtetit të Sllobodan Millosheviqit në vitin 2000. Shumica e serbëve e kupton se nuk ka shumë mjete për të ndikuar në vendimin përfundimtar, për faktin se komuniteti ndërkombëtar praktikisht angazhohet hapur për pavarësinë e kushtëzuar, me një sistem për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe për pamundësinë e bashkimit me Shqipërinë. Ideja për imponimin e zgjidhjes ka lindur pikërisht për faktin se ka pak gjasë që Beogradi të pranojë vullnetarisht pavarësinë e Kosovës, shkruan në fund Liberasion.


XS
SM
MD
LG