Ndërlidhjet

VJENË


Bisedimet e para direkte ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë nuk e kanë prekur çështjen e ndjeshme të statusit përfundimtar të Kosovës, por diskutimet mbi "çështjet praktike u zhvilluan në frymë të bashkëpunimit", deklaroi diplomati austriak Albert Rohan pas takimit dy ditësh në Vjenë.
"Nuk pritej të arrihet një marrëveshje, por u paraqitën opinione të ndryshme dhe u eksploruan pikëpamje të ndryshme, dhe bisedimet ishin shumë konstruktive", tha Rohan pas përfundimit të negociatave në pallatin Daun-Kinski të Vjenës.
Albert Rohan tha se çështja e statusit nuk u bisedua sepse kishte rrezik që "diskutimi të përfundojë brenda dy orësh".
Sipas tij, qëndrimi i Grupt të Kontaktit është i një rëndësie të madhe, ndërsa përfundimisght për statusin e Kosovës do të vendosë Këshilli i Sigurimit.
Rohan, zëvendës i Marti Ahtisaari, të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, tha se dy palët do të takohen më 17 mars për t'i diskutuar çështjet teknike.
Bisedimet në Vjenë u fokusuan në reformën e pushtetit lokal në Kosovë dhe sigurimin e autonomisë më të madhe për bashkësitë e pakicave.
Të hënën, bisedimet u përqëndruan në bartjen e kompetencave në fushat e shëndetësisë, arsimit, mirëqënies sociale dhe kulturës, kurse të martën delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit biseduan për çështje më të rëndësishme, si policia, gjyqësia dhe administrata.
Delegacioni i Kosovës në bisedimet e Vjenës udhëhiqej nga Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, kurse delegacioni i Serbisë nga Leon Koen dhe Sllobodan Samarxhiq, këshilltarë të presidentit Boris Tadiq dhe kryeministrit Vojisllav Koshtunica.
XS
SM
MD
LG