Ndërlidhjet

NESËR DO TË DIHEN EMRAT E MINISTRAVE TË RENDIT DHE DREJTËSISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dita e nesërme mund të qartësojë punët lidhur me emërimin e ministrave që do të udhëheqin Ministrinë e Rendit, përkatësisht atë të Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, thanë sot zyrtarë të Lidhjes Demokratike, ndërkohë që përfaqësuesit e partnerit të koalicionit të tyre qeveritar, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thanë se tashmë ekziston marrëveshja që një ministri t’i takojë LDK-së dhe një ministri AAK-së.
Lulzim Zeneli, zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha sot për Evropën e Lirë se nesër do të mbahet një mbledhje e kryesisë së LDK-së, në të cilën pritet të dihen përfundimisht edhe emrat e kandidatëve të kësaj partie për postet ministrore. Ndërkaq, Ernest Luma, zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se kjo parti ka kandiduar Naim Malokun për Ministër të Rendit dhe Jonuz Salihajn për Ministër të Drejtësisë. Luma tha se ende nuk është vendosur se kandidati i cilës parti cilën ministri do ta udhëheqë:
"AAK dhe LDK do t’i ndajnë përgjegjësitë një me një në qeverinë e Kosovës, në dy postet e reja, pra në Ministrinë e Rendit dhe atë të Drejtësisë. Çështje të padefinuara kanë mbetur për fushën të cilën do ta menaxhojnë njëra dhe tjera parti".
Sidoqoftë, tha zoti Luma, kjo parti ka sugjeruar që emërimi i ministrave të rinj të kryhet sa më shpejt, në mënyrë që të evitohet vakumi në qeverinë e Kosovës, siç është shprehur ai.
Zyrtarët e kanë theksuar posaçërisht vonesën e emërimit të ministrave të policisë dhe drejtësisë, në ditën kur në takimin e Vjenës për decentralizimin, është biseduar veçanërisht për çështjet e sigurisë dhe policisë në kuadër të reformës së pushtetit lokal.
Këshilltari për siguri i kryeministrit Kosumi, Ramadan Qehaja tha se vonesat janë shkaktuar pasi bartja e kompetencave është bërë në fund të vitit, në prag të festave të fundvitit, ndërkohë edhe vdekja e presidentit Rugova e ka zvarritur çështjen edhe më shumë:
"Pasi është koalicioni qeverisës në fuqi dhe ai koalicion duhet t’i caktojë ministrat, kjo mbetet punë e tyre, por mendoj se është një vonesë shumë e madhe, dymujore, ndërsa sipas planit për tranzicion është thënë se deri në fund të marsit është dashur të bëhet një vlerësim i asaj se deri ku kemi arritur".
Zyrtarët ndërkombëtarë sipas një plani për bartjen e tërësishme të kompetencave në këto fusha, kanë planifikuar që në mars të vlerësojnë përparimet që janë bërë në kompletimin e ministrive të reja, për të vazhduar bartjen e përgjegjësive.
Zoti Qehaja thotë se në këtë plan kryeministri Kosumi ka ndërmarrë disa veprime, në pritje të vendimit të dy partnerëve të koalicionit qeveritar:
"Kryeministri nuk ka ndenjur duarkryq dhe në kuadër të kompetencave të tij ai ka emëruar dy zyrtarë të lartë apo ushtrues të detyrës së sekretarëve të përhershëm të dy ministrive dhe këta dy persona janë duke punuar. Do të thotë se nuk mund të thuhet se asgjë nuk është duke u punuar – diçka është bërë, por jo aq sa është dashur".
Policia dhe drejtësia kanë qenë deri në fund të vitit të kaluar dy fushat e fundit ku është dashur të bëhet bartja e përgjegjësive nga UNMIK-u tek autoritetet vendore, ndërkohë që shumë përgjegjësi të policisë në terren tashmë i janë bartur Shërbimit Policor të Kosovës.

XS
SM
MD
LG