Ndërlidhjet

SHKËLZEN MALIQI: TAKIMI I VJENËS I RËNDËSISHËM SE KA FILLUAR NJË PROCES


Shkëlzen Maliqi, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë sipas jush nënkupton takimi i parë i Vjenës?

SHKËLZEN MALIQI
E ka rëndësinë e vet sepse megjithatë një proces ka filluar, ka patur rreth katër muaj përgatitje të gjata dhe të dy palët kanë bërë një lloj eksplikimi të pozicioneve të veta. Gjithshtu janë përcaktuar dhe kushtet dhe mënyra e negociatave. Mendoj se me çfarë ka filluar, me këto pak a shumë do të mbyllet kjo fazë e negociatave. Ato do të jenë të përqëndruara kryesisht në këto çështjet konkrete në decentralizimin dhe sigurimin e pozitës dhe statusit të pakicave, sidomos të pakicës serbe. Nuk do të ketë vërtet biseda direkte për vetë statusin sipas të gjitha gjasave dhe siç deklarohen edhe instancat më përgjegjëse ndërkombëtare kjo do të vendoset nga ndërkombëtarët. Edhe pse tashmë nuk është vendosur praktikisht, janë dhënë shumë prononcime paraprake se vërtet proceset shkojnë drejt pavarësisë me disa kushtëzime. Fjala kushtëzim ka rënë tani, por më shumë do të jetë një lloj procesi monitorimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do ta lehtësonte vetë procesin, vetë zgjidhjen për statusin e Kosovës, arritja e një marrëveshjeje për pozitën e pakicës serbe në Kosovë, meqë i gjithë orientimi ndërkombëtar duket të jetë fokusuar në këtë çështje si fillim?

SHKËLZEN MALIQI
Si kanë thënë dhe disa diplomatë shumë me ndikim, ne duhet të ecim madje mjaft shpejt. Agjenda është e ngjeshur dhe zgjidhjet duhet të gjenden. Nëse do të ketë pakënaqësi, ose nëse dikush nga pakënaqësia lëshon bisedat, ato do të vazhdojnë pa serbët ta zemë ose pa shqiptarët. Në lojë janë dy opsione ose bojkoti i zgjedhjeve dhe shpallja e Kosovës territor i okupuar ose shpallja e referendumit në krejt territorin e Serbisë. Këta i kanë këto politikat apo opsionet më kërcënuese. Mendoj se proceset janë nën kontroll të faktorëve ndërkombëtarë dhe se këta faktorët për të cilët bisedohet dhe të cilët bisedojnë nuk kanë fuqi kërcënuese. Nuk është më situata si në luftërat e mëhershme dhe në luftën e Kosovës ku vërtet një palë e ka kontrolluar territorin me armë dhe pala tjetër ka filluar luftën e armatosur. Tashti efektivisht kontrollohet territori i Kosovës nga një instancë sovrane ndërkombëtare. Ajo është e përkohshme por megjithatë është sovrane, ka ushtrinë dhe ka administratën këtu dhe ata nuk pranojnë kurrfarë kushtëzimi. Domethënë vetë momenti, koha e bisedave është krejt ndryshe nga ato që kanë qenë në Bosnje dhe këtu faktori kryesor është ai ndërkombëtar. Besoj se nuk do të ketë trazira dhe probleme të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke patur parasysh planet me përmbajtje të kundërta të Prishtinës dhe Beogradit, cili do të jetë roli i bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht zotit Ahtisari në çështjet siç janë decentralizimi dhe çështje të tjera që duhet të zgjidhen paraprakisht ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

SHKËLZEN MALIQI
Mesa po shoh unë bisedat kanë filluar me imponim ndaj palës serbe të opsionit të Kosovës së pavarur. Ndërsa tani statusi i serbëve në Kosovë, se si ata do të akomodohen në një Kosovë të pavarur është thelbi i bisedave. Nëse oferta shqiptare nuk do të jetë e kënaqshme ose nuk do të jetë e favorshme, jo vetëm për serbët por edhe për ndërkombëtarët, ata sigurisht se do ta imponojnë. Ajo që flitet për kompromisin është kjo, sepse serbëve u është bërë me dije se Kosova do të jetë e pavarur, nuk mund të kthehet më në Serbi, as të kontrollohet nga Serbia në asnjë mënyrë. Tani për serbët këtu, kur ta kuptojnë se ky është realiteti, edhe ata do të binden për pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës. Format e ndryshme të decentralizimit, komunat e reja, nëse prej palës shqiptare nuk do të ketë pajtim me këtë, besoj se edhe ato kanë instrumente që të imponohen dhe vlerësoj se nuk do të jenë tepër të dëmshme, nëse çojnë në një sistem ku edhe serbët, në strukturat e decentralizuara nuk do të krijojnë entitete të ndara ose shtete brenda shtetit, e të tilla situata, por do të jenë qytetarë loajalë të Kosovës. Por ka edhe disa instrumenta të tjerë të Kosovës dhe për këtë arsye edhe kërkojnë ndërkombëtarët që të ketë dhe një fazë tjetër të re të ndërmjetësimit të një administrimi më të ulët të përkohshëm, të prezencës më të gjatë të NATO-s, të forcave ushtarake këtu. Marrëveshjet që do të arrihen do të garantojnë që ato do të jenë këtu prezent, me ndërhyrjet e tyre ose me politikat e tyre stimuluese. Krejt këto nënkuptojnë edhe një periudhë tranzitore dhe një pavarësi reale dhe e plotë e Kosovës, që përfshin edhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara edhe krijimin e ushtrisë së saj, kërkon ndoshta edhe një periudhë që do të zgjatë së paku 3 –5 vjet.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG