Ndërlidhjet

logo-print

BRAKTISJA E SHKOLLIMIT PO BËHET PËR SHKAQE MATERIALE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Gjendja e rëndë ekonomike në Kosovë është faktori kryesor, i cili ka bërë që shumë nxënës të braktisin shkollimin. Vetëm gjatë vitit shkollor 2004-2005 shkollën e kanë braktisur 4 141 nxënës, thotë Lulavere Kadriu, koordinatore për të drejtat e njeriut në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ajo thotë se kjo shifër është shumë shqetësuese për këtë ministri.
"Kur flasim për të dhëna gjithmonë duhet të kemi parasysh se është vështirë të vijmë deri tek të dhënat e sakta për shkak se nuk është bërë regjistrimi i popullsisë prej një kohe të gjatë dhe është vështirë të dimë lëvizjen e nxënësve, qoftë të atyre që e braktisin shkollën, qoftë të atyre që për arsye të ndryshme nuk rregjistrohen fare në shkollë."
Zonja Kadriu tha se fenomeni i braktisjes së shkollës, është më së shumti i pranishëm në zonat rurale. Shkollën fillore në të shumtën e rasteve e braktisin vajzat, për shkak të mungesës së transportit. Ndërsa djemtë prijnë në numrin që shënon braktisjen e shkollës së mesme.
"Është karakteristike që në nivelin fillor është pothuajse e përafërt, mirëpo dallon tek femrat, është pak më e madhe tek gjinia femërore. Ndërsa në shkollimin e mesëm është e kundërta, numri i femrave të cilat e braktisin shkollën e mesme është shumë më i vogël në krahasim me numrin e meshkujve. Ndoshta kjo mund të lidhet me gjendjen ekonomike që kemi, që meshkujt detyrohen të kërkojnë punë".
Ndryshe, Halim Hyseini nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se arsyeja kryesore e braktisjes së shkollave është cilësia e pavolitshme, e cila sipas tij, arsimin e bën jofunksional për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në jetën e përditshme. Sipas tij institucionet arsimore duhet të merren me shkaqet e paraqitjes së braktisjes së shkollimit.
"Ky problem sipas mendimit tim buron për shkak se ne e kemi një sistem tej mase të centralizuar, sistem i cili nuk lejon të mobilizohen forcat kreative dhe sistemin e tashëm të arsimit ta bëjnë më dobiprurës dhe më relevant për qytetarët e Kosovës."
Braktisja e shkollimit sipas zotit Hyseini, mund të evitohet vetëm atëhere, kur cilësia e arsimit në Kosovë do të jetë dobiprurëse për secilin qytetar të Kosovës.
Ndryshe në Kuvendin e Kosovës tashmë është miratuar ligji për arsimin fillor dhe të mesëm, në bazë të të cilit, prindërit janë të detyruar t'i dërgojnë fëmijët në shkollë dhe për ata të cilët nuk e plotësojnë këtë detyrim pasojnë ndëshkimet. Por Lulavere Kadriu pohon se ligji nuk është duke u zbatuar dhe deri tani asnjë prind nuk është ndëshkuar për braktisjen e shkollës nga fëmijët e tyre.
"Është vështirë ta zbatosh ligjin kur është në pyetje aspekti ekonomik. Nuk mund ta dënosh prindin, i cili nuk ka mundësi, nuk ka kurrfarë të ardhurash financiare që t'ia paguajë fëmijës për shembull që të udhëtojë me transport. Kjo krejt po lidhet me gjendjen ekonomike dhe kjo e bën të vështirë zbatimin e këtij ligji, sepse në fakt është vështirë me marr masa kur njerëzit ballafaqohen me probleme ekonomike".
Pikërisht për këtë çështje Ministria e Arsimit në bashkëpunim me disa organizata ndërkombëtare dhe shoqatat e prindërve nesër do të promovojnë një doracak që përmban informata të ndryshme që kanë të bëjnë me braktisjen e shkollave. Ky doracak do të shpërndahet në të gjitha shkollat e Kosovës, në mënyrë që të ndihmojë edhe mësimdhënësit që të luftojnë fenomenin e braktisjes së shkollës.

XS
SM
MD
LG