Ndërlidhjet

logo-print

VJENË


Bisedimet e para direkte ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë nuk e kanë prekur çështjen e ndjeshme të statusit përfundimtar të Kosovës, por diskutimet mbi "çështjet praktike u zhvilluan në frymë të bashkëpunimit", deklaroi diplomati austriak Albert Rohan pas takimit dy ditësh në Vjenë.
"Kuptohet që nuk mund të pritej të arrihet ndonjë marrëveshje në fushat specifike. Takimi shërbeu për t'i prezantuar qasjet e ndryshme të dy palëve mbi decentralizimin dhe gjetjen e pikave të përbashkëta. Mendoj se ishim mjaft të sukesshëm", tha Rohan pas përfundimit të negociatave në pallatin Daun-Kinski të Vjenës. Ai tha se çështja e statusit nuk u bisedua sepse kishte rrezik që "diskutimi të përfundojë brenda dy orësh".
Sipas tij, qëndrimi i Grupt të Kontaktit është i një rëndësie të madhe, ndërsa përfundimisht, për statusin e Kosovës do të vendosë Këshilli i Sigurimit.
Rohan, zëvendës i Marti Ahtisaari, të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, tha se dy palët do të takohen më 17 mars për t'i diskutuar çështjet teknike.
Delegacioni i Kosovës në bisedimet e Vjenës udhëhiqej nga Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri. Në një konferencë për shtyp pas takimit, Haziri tha se se bisedimet paraqesin "fillimin e rrugës drejt pavarësisë", dhe shtoi se "shteti i lirë i Kosovës" do të sjellë "liri dhe stabilitet për të gjithë njerëzit, gjithashtu edhe për serbët".
"Çdo detaj që e diskutuam gjatë dy ditëve të kaluara mund të zbatohet plotësisht vetëm në një Kosovë të pavarur dhe sovrane. Ne do ta implementojmë decentralizimin në ditën e parë pas pavarësisë. Siç tha edhe vetë Marti Ahtisaari, nuk mund të merremi vesh për diçka pa u marrë vesh për gjithçka", tha Haziri.
Delegacioni serb mbajti një konferencë të veçantë për shtyp. Në krye të delegacionit të Serbisë ishte Leon Koen, këshilltar i presidentit Boris Tadiq. Koen tha bisedimet ishin "të dobishme", por shtoi se më shumë do t'i kishte pëlqyer nëse të dyja palët do të bisedonin direkt për statusin e Kosovës.
"Zgjidhjet që mund të kundërshtojnë integritetin territorial të Serbisë, për ne ajnë të paranueshme. Asnjë marrëveshje formale nuk u arrit, por sigurisht që do të kemi mirëkuptim dhe vlerësim më të madh për qëndrimin e palës tjetër. Vetë ky është një hap përpara, sidomos kur shoqërohet me çështje të veçanta", tha Koen.
Bisedimet në Vjenë u fokusuan në reformën e pushtetit lokal në Kosovë dhe në sigurimin e autonomisë më të madhe për bashkësitë e pakicave.
Të hënën, bisedimet u përqëndruan në bartjen e kompetencave në fushat e shëndetësisë, arsimit, mirëqënies sociale dhe kulturës, kurse të martën delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit biseduan për çështje më të rëndësishme, si policia, gjyqësia dhe administrata.
XS
SM
MD
LG