Ndërlidhjet

MË NË FUND, STATUSI FINAL


FINANCIAL TIMES

Bashkësia ndërkombëtare më në fund e ka mbledhur guximin për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, çështjen e fundit të pazgjidhur nga shkatërrimi i dhunshëm i ish Jugosllavisë.
Përderisa ka rreziqe nga imponimi i zgjidhjes, për Kosovën është edhe më e rrezikshme që të mbetet kështu siç është: protektorat ndërkombëtar me një të ardhme të pasigurtë, papunësi dhe krim të papërmbajtur.
Grupi i Kontaktit, i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, vendet e Bashkimit Evropian dhe Rusia, kishte të drejtë kur në vitin 1999 i pezulloi bisedimet për statusin final të Kosovës, nisur nga rreziku se mund të provokonte rishfaqje të luftimeve midis shumicës shiptare që kërkon pavarësi, dhe pakicës serbe që pohon se Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë.
Por tash rrethanat kanë ndryshuar. Sllovenia është anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Kroacia i ka filluar negociatat për antarësim, Maqedonia fitoi statusin e vendit kandidat, kurse Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi i kanë filluar bisedimet e Stabilizim-Asociimit. Sllobodan Millosheviqi dhe të dyshuarit tjerë ndodhen në burg, ndonëse krye të dyshuarit Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq ende janë të lirë. Ndërkohë, ekonomia ka filluar të rimëkëmbet nga luftërat e viteve të 90-ta.
Me papunësinë, krimin dhe korrupcionin që ka, ambienti nuk është i përsosur. Serbia është në pozitë veçanërisht të vështirë: përveç mundësisë për ta humbur Kosovën, ajo përballet edhe me ndarje komplete nga Malin i Zi.
Por ndoshta kurrë nuk do të ketë kohë më të mirë për t'u marrë me Kosovën. Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë të ngatërruar në Lindjen e Mesme, diplomatëve perëndimorë dëshpërimisht u duhet një zgjidhje në Ballkan, për të treguar se ndërhyrja mund të përfundojë me sukses.
Plani është që shqiptarët dhe serbët të negociojnë një zgjidhje. Por këto bisedime me gjasë mund të ngecin nëse Beogradi refuzon ta pranojë pavarësinë, kurse shqiptarët, të cilët përbëjnë 90% të popullsisë, nuk duan asgjë më pak se pavarësia.
Në këtë rast, Grupi i Kontaktit duhet të jetë i gatshëm të imponojë pavarësi të kushtëzuar, sepse çdo gjë tjetër do ta përjetësonte rrezikun nga reagimi i ashpër i shqiptarëve. Shqiptarëve ndërkaq duhet t'u bëhet shtypje që serbëve lokalë t'u japin mbrojtje kushtetuese.
Zgjidhja mund të imponohet vetëm me bashkëpunim të Rusisë. Moska ka shprehur shqetësime se presedenca e pavarësisë mund të nxjerrë telashe në zonat e ish Bashkimit Sovjetik. Por Rusia duhet të bindet se pavarësia e kushtëzuar e Kosovës, e sanksionuar nga Kombet e Bashkuara, do të ishte më pak e frikshme se sa një kryengritje e shqiptarëve.
Çfarë do qoftë marrëveshja përfundimtare, trupat dhe administrata ndërkombëtare duhet të mbeten në Kosovë edhe në vitet që vijnë. Bashkimi Evropian duhet të mbështesë rajonin me ndihma, dhe t'u përmbahet premtimeve për anëtarësim. Asgjë më shumë se sa gjasat për integrim në Bashkimin Evropian, nuk do ta ndihmonin rajonin që të shkëputet nga e kaluara dhe të përqëndrohet në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG