Ndërlidhjet

JAMES PARDEW: NATO NUK DO T'I ZVOGËLOJË KAPACITETET NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

NATO-ja do ta ruajë praninë aktuale në Kosovë gjatë gjithë periudhës së negociatave, dhe asnjë shtet deri më tani nuk ka kërkuar zvogëlim trupash, tha sot në Prishtinë ndihmëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, James Pardew, i cili ka takuar udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe të partive kryesore politike:
"Nuk ka ndonjë propozim tani për tani për zvogëlimin e trupave të asnjë shteti në Kosovë," tha James Pardew, i cili e ka cilësuar si shumë të rëndësishme fazën aktuale në të cilën po kalon Kosova për shkak të fillimit të bisedave për statusin:
"Ne jemi këtu që të bisedojmë për situatën e sigurisë dhe unë mund të shpreh përkushtimin tim se KFOR-i do të vazhdojë të ruajë gjithë kapacitetet e veta të plota dhe përkushtimin për ambient të qetë dhe të sigurt gjatë periudhës së negociatave," tha zoti Pardew, sipas të cilit sidomos pozita e pakicave është e rëndësisë së veçantë për sigurinë e Kosovës. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se NATO-ja në Kosovë është faktor i rëndësishëm dhe i pakompensueshëm për stabilitet të përgjithshëm në Kosovë dhe rajon:
"Edhe në të ardhmen do të vazhdojë të jetë faktor i rëndësishëm që do të ndikojë në zhvillimin e proceseve të tjera, e posaçërisht në përshpejtimin edhe të përcaktimit të statusit politik të Kosovës," tha presidenti Fatmir Sejdiu, duke theksuar se ky status duhet të jetë pavarësia, ndërkohë që kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, tha se me zyrtarin e lartë të NATO-s kishin folur edhe për rolin e NATO-s në Kosovën e pas statusit:.
"Biseduam edhe për të ardhmen se si e shohim të ardhmen e forcave të NATO-s në një Kosovë me status të zgjidhur, në një bashkëpunim të përhershëm që do të jetë një vizion për ruajtjen e paqes në Kosovë dhe ruajtjen e të drejtave të minoriteteve, por edhe të shpërndarjes së paqes edhe në fqinjësinë e afërt".
Krerët e institucioneve dhe diplomatët ndërkombëtarë, në këtë kuadër e kanë vlerësuar të rëndësishme periudhën kur po diskutohet për statusin e sidomos takimin që dje ka përfunduar në Vjenë ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë. Shefi i zyrës austriake në Prishtinë, si kryesuese e radhës e Bashkimit Evropian, Aleksandër Bayerl tha se takimi i Vjenës ishte i dobishëm:
"Mendoj e ka qenë një takim mjaft i rëndësishëm dhe i dobishëm dhe rëndësinë e këtij takimi mund ta shihni edhe në faktin se takimi i ardhshëm do të mbahet shumë shpejt në Vjenë," tha Aleksander Bayerl, duke folur në emër të shefave të zyrave diplomatike në Prishtinë, pas një takimi me kryeministrin Bajram Kosumi. Ky i fundit tha se takimi i Vjenës padyshim është një takim i suksesshëm
"Vetë fakti se është mbajtur një atmosferë të mirë, konstruktive tregon për një fillim të suksesshëm. Askush nuk ka pritur që të zgjidhen problemet në takimin e parë dhe as që pritet të zgjidhen problemet lehtë, por është një sukses i fillimit",tha kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, sipas të cilit delegacioni i Kosovës ka qenë i përgatitur dhe e ka bërë prezantimin e duhur të dokumentit kosovar për decentralizimin.




XS
SM
MD
LG