Ndërlidhjet

BERISHA: PRITET PËRMIRËSIM I FURNIZIMIT ME ENERGJI


Palokë Berisha, drejtor komercial të KEK-ut

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, pjesë të KEK-ut janë vërshuar dje nga uji. Është thënë se ndërhyrja ka qenë e ngadaltë. Pse nuk është parandaluar një gjë e tillë?

PALOKË BERISHA
Pse nuk është parandaluar një gjë e tillë? Ka qenë një fatkeqësi elementare dhe është e pamundur të ndërhyni përpara. Thjesht lumi Sitnica ka vërshuar, ka dalë nga shtrati, ka vërshuar jo vetëm këtu, por një pjesë e madhe e Fushë Kosovës, Obiliqi, Plemetini me rrethinë janë të vërshuar. Në një vend uji ka depërtuar edhe pendën tonë në KEK dhe ka vërshuar pjesën e separacionit të KEK-ut, d.m.th. ka prekur stabilimente brenda blloqeve, përbrenda termocentraleve dhe diçka tjetër, ka prekur stabilimente elektroenergjetike dhe situata ka qenë mjaft delikate, sepse nuk kemi qenë në gjendje të aktivizojmë, prandaj edhe kemi qenë të detyruar që të importojmë, që të ndërpresim së pari punën e termocentraleve dhe të fillojmë me rritjen e importit me energji elektrike. Çështja është, që ne pa ndihmën e askujt, punëtorët e KEK-ut dhe TMK-ja e kanë përmbyllur këtë problem. Kjo tregon për gatishmërinë, që edhe një shtet i madh në shoqëri të organizuar nuk do të mund ta kryente këtë punë.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni bërë analizat fillestare. Cilat janë dëmet e deritashme?

PALOKË BERISHA
Jo, jemi duke punuar. Dëme ka. Vetë fakti që kemi qenë të detyruar të ndalim blloqet dhe të fusim importin deri në 400 megawat shkaktojnë dëme financiare. Atje duhet të riparohen shumë rrugë. Ndërsa pjesët elektrike janë duke u pastruar, pompat po testohen. Lajmi i mirë është se jemi shumë të befasuar me efikasitetin e punëve që po bëjmë. Mund të ndodhë, që në orët e vona të mbrëmjes të provojmë të startojmë me një bllok, që është shumë më herët sesa kemi parashikuar. Sidoqoftë, ne po punojmë, uji është tërhequr dhe tani kemi qasje të lirë për ta kryer punën tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dje janë hequr nga sistemi disa nga blloqet e termocentraleve. Cilat blloqe janë duke funksionuar tani?

PALOKË BERISHA
Të dy blloqet e B, të cilat në atë moment kanë prodhuar 500-550- MW kemi qenë të detyruar t’i çkyçim. Për çdo sistem energjetik kjo do të ishte shkatërrimtare.
Ndërkohë, kemi rrit importin deri në 350 MW, Hidrocentrali i Ujmanit po prodhon 32 MW. Kah mesnata kemi kthyer A1 sot A5, domethënë mbrëmë 30 MW plus sot 120 MW. Por kemi vendimin e menaxhmentit të KEK-ut për të kthyer bllokun B1, dhe do kthehet kur të jetë koha e duhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa orë energji elektrike është duke importuar KEK-u aktualisht?

PALOKË BERISHA
Kontratat në nivel ditor sot ka qenë 350-390 MW, por me hyrjen në sistem të A1 dhe A5 kjo kërkesë mund të zvogëlohet.
Por duhet parë se çfarë po ndodhë me një bllok të B-së. Pak a shumë ka reduktime, por jo drastike siç kemi pasur frikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga cilat shtete po importoni energji elektrike?

PALOKË BERISHA
S'mund t’ju them saktësisht se cilat shtete janë nga rajoni. Tani tregu është i lirë, ka plot ndërmarrje që nuk merren me prodhimin, por me shitblerjen energjisë elektrike, ne nuk e dimë se nga e marrin energjinë elektrike këto ndërmarrje. Por, sidoqoftë në këtë moment kemi furnizim stabil.

RADIO EVROPA E LIRË
Si po funksionon tash plani ABC i KEK-ut?

PALOKË BERISHA
Momentalisht kategorinë A po e furnizojmë 24 :0 ose 5 : 1, kategorinë B 4:2 ose 3:3 dhe kategorinë C 2:4. Ky është plani aktual, por mund të ndryshojë besoj për të mirë, sepse kemi mjaft energji dhe A5 ka përmirësuar dukshëm situatën, ndërsa kthimi i B-së do ta stabilizojë.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG