Ndërlidhjet

AAK-JA CAKTON JONUZ SALIHAJN SI MINISTËR TË DREJTËSISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Jonuz Salihaj do të jetë Ministër i ri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, ndërkohë që Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet të caktojë Ministrin e ri të Rendit, thanë sot zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët ditët e fundit kanë pasur takime të shpeshta me partnerin e koalicionit qeveritar Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila së fundi ka këmbëngulur që të marrë udhëheqjen e të dyja ministrive të reja. Mirëpo, Ernest Luma, zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha sot për Evropën e Lirë se kjo çështje tashmë është zgjidhur:
"AAK dhe LDK janë dakorduar në fakt për ndarjen e përgjegjësive një me një – LDK sipas informacioneve të fundit është përcaktuar që të udhëheqë Ministrinë e Rendit, ndërsa mbetet që AAK të udhëheqë Ministrinë e Drejtësisë".
Ndërkohë, zyrtarët e Lidhjes Demokratike as sot nuk e kanë bërë publik emrin e personit që do të udhëheqë Ministrinë e Rendit, ndërkohë që kanë hedhur poshtë ditën më parë të gjitha pohimet në mediat për Ministrin e ri të Policisë nga kjo parti. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë e di se cili do të jetë Ministri i Drejtësisë i Kosovës:
"Në këtë moment krejt ajo që dihet është se Jonuz Salihaj do të jetë Ministër i Drejtësisë, pra dihet emri i njëri prej ministrave dhe pritet formalizimi apo nënshkrimi i marrëveshjes së partnerëve në koalicion."
Në anën tjetër analistët kanë thënë ditët e fundit se zvarritja emërimit të ministrave të rinj do të shkaktojë probleme lidhur me vlerësimin tremujor të punës së ministrive të reja që është dashur të bëhet në mars. Zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh tha se ende nuk dihet një datë e saktë se kur do të bëhet ky vlerësim:
"Është një shqyrtim për parë nëse ministritë janë themeluar dhe i kanë marrë përgjegjësitë e tyre në mënyrë profesionale të paanshme," tha Neeraj Singh, sipas të cilit megjithatë nuk mund të thuhet se nuk është punuar për themelimin e këtyre ministrive. Ai tha se ka zyrtarë të cilët janë emëruar dhe i kryejnë punët bashkë me partnerët në UNMIK, për të ndërtuar fushat e caktuara të operacioneve të këtyre ministrive, edhe pse emërimi i sekretarëve permanentë që është bërë më herët nga kryeministri, nuk mund të jetë zëvendësim për ministrat:
"Procesi sigurisht se do të shkojë më mirë në momentin kur do të emërohen ministrat, prandaj kjo është arsyeja pse ne po e theksojmë vazhdimisht nevojën për emërimin e ministrave sa më shpejt që të jetë e mundur," tha Neeraj Singh, sipas të cilit nuk mund të thuhet nëse procesi i bartjes së kompetencave mund të zvarritet, pa e ditur saktësisht se për kur është caktuar shqyrtimi i themelimit dhe punës tremujore të këtyre dy ministrive.





XS
SM
MD
LG