Ndërlidhjet

logo-print

MINISTRAT E JASHTËM TË BE-SË DISKUTUAN PËR ZHVILLIMET NË BALLKAN


Augustin Palokaj, Bruksel

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian kanë mirëpritur në takimin e tyre të sotëm mbajtjen e takimit mes Beogradit dhe Prishtinës për decentralizimin, që është zhvilluar në Vjenë. Ministrat e kanë quajtur këtë takim demonstrim të gadishmërisë nga të dyja palët për t'u angazhuar në mënyrë konstruktive në procesin e statusit të Kosovës. Këshilli i Ministrave të BE-së ka përsëritur edhe sot se rëndësi e veçantë i duhet dhënë përmbushjes së standardeve në Kosovë. Autoriteteve të Kosovës u kanë dërguar porosi që paralelisht me negociatat për statusin, duhet të arrijnë përparim të shpejtë në përmbushjen e standardeve, sidomos atyre që kanë të bëjnë me mbrojtjen e komuniteteve pakicë. Pjesën më të madhe të takimit të tyre të sotëm ministrat ja kanë kushtuar problemit të bashkëpunimit të Serbisë me Tribunalin e Hagës. Para ministrave raportin për këtë e ka paraqitur Komisioneri i Zgjerimit Oli Rehn, i cili ka thënë se nëse nuk arrihet bashkëpunim i plotë, raundi i ri i negociatave me Beogradin nuk do të mund të zhvillohet. Ministrat kanë mbështetur raportin e komisionerit Oli Rehn dhe në konkluza kanë tërhequr edhe njëherë vërejtjen se bashkëpunimi i plotë me Tribunalin e Hagës posaçërisht arrestimi i të akuzuarve kryesorë Radko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç, janë kushte për të vazhduar pa ndërprerje negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Për këtë temë para gazetarëve ka folur sot edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Havier Solana.
" Ne do të donim që të ketë bashkëpunim të plotë të Serbisë dhe Malit të Zi me Tribunalin Ndërkombëtar dhe nëse kjo nuk do të ndodhë ne mund të ndalim negociatat për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit. Por deri në raundin e ardhshëm ka ende kohë deri në fund të marsit", ka thënë Havier Solana. Shumë diplomatë kanë pohuar se nëse së paku deri në fund të muajit mars nuk arrestohet gjenerali Radko Mlladiç, atëhere raundi i parashikuar i negociatave me Beogradin nuk do të zhvillohet dhe negociatat do të ndërpriten. Ministrat sot u kanë bërë thirrje dhe të dyja palëve në Republikën e Malit të Zi që të pajtohen sa më shpejt rreth kushteve për zhvillimin e referendumit. Po ashtu i kanë shprehur mbështetje edhe të dërguarit të posaçëm të BE-së Miroslav Lajçar dhe iniciativave të tij. Me fjalë të tjera BE-ja, ndonëse nuk e ka shkruar në konkluza ka mbështetur idenë që në referendum në favor të pavarësisë së Malit të Zi, duhet të votojnë së paku 55 % e atyre që dalin në votime.

XS
SM
MD
LG