Ndërlidhjet

RRITET NUMRI I PERSONAVE QË SHFRYTËZOJNË DROGË NË KOSOVË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Numri i personave që i shfrytëzojnë substancat narkotike në Kosovë është shtuar, sidomos tek nxënësit e shkollave fillore dhe ato të mesme, të cilët në shumicën e rasteve shfrytëzojnë marihuanën.
Havi Baliu nga Ministria e Arsimit, pohon se faktori kryesor që ka shënuar këtë rritje është mosinformimi i nxënësve për rreziqet që sjell konsumimi i drogës.
"Ministria e Arsimit, edhe pse nuk ka bërë një hulumtim të gjithëmbarshëm, ka njohuri se pak a shumë, nëpër institucionet edukativo-arsimore, domethënë në shkollat fillore dhe të mesme, përdoren këto lloj narkotikësh. Por në çfarë sasie nuk dimë dhe në çfarë rajonesh, ose në cilat rajonet e Kosovës më shumë apo më pak. Nuk kemi akoma ndonjë të dhënë të saktë."
Kujtim Sërmaxhaj, kryetar i rinisë shkollore në gjimnazin "Sami Frashëri" në Prishtinë, pohon se edhe në këtë shkollë ka probleme të tilla, megjithëse ende nuk janë identifikuar personat të cilët përdorin drogën.
"Ka probleme të tilla fatkeqësisht. Çdo herë ka qenë i njohur përdorimi i drogës, çdo herë flitet. Kanë ndodhur raste të rralla, ka patur të tilla që janë gjetur shiringa. Ka raste të tilla, kam parë personalisht një rast të tillë, por megjithatë nuk e di pse, ose nga kush, veç ato raste zhduken."
Një gjë të tillë e pohon edhe nxënësja tjetër e kësaj shkolle, Krenare Osmani:
"Kam dëgjuar se kohët e fundit në të gjitha shkollat e mesme rinia merren me drogë. Kam dëgjuar, ndonëse nuk kam ndonjë fakt apo kam ndonjë shok i cili merret me drogë, thjesht kam dëgjuar që merren nxënësit me drogë".
Në anën tjetër, Hyrishahe Korça, mësimdhënëse në këtë shkollë, tha se deri tani nuk ka patur ndonjë rast të tillë.
"Unë deri tani nuk kam patur ndonjë rast të tillë".
Problemi kryesor pse nuk identifikohen nxënësit që përdorin drogën, sipas kryetarit të rinisë shkollore të gjimnazit, është që askush nuk merr iniciativa që të hulumtohen rastet dhe të gjenden konsumuesit e drogës.
"Këto gjëra i kemi biseduar dhe është një nga gjërat kryesore që trajton të paktën rinia e shkollës, megjithatë është e pamundur të identifikohen personat, të cilët i bëjnë këto veprime. Ndoshta është edhe problemi i frikës. Askush nuk e pranon që është përdorues i drogës, pasi frikësohet për pasojat që mund të ketë qoftë nga familja, shoqëria apo vetë shkolla".
Numri i personave për të cilët dihen se konsumojnë substanca narkotike në Kosovë sillet prej 5000-7000 prej moshës 15-24 vjeç. Në Prishtinë ekziston vetëm një qendër private, e cila ofron ndihmë në trajtimin e personave që janë të varur nga droga. Prej vitit 2002 e deri tani në këtë qëndër janë trajtuar 517 klientë, ndërkaq vetëm gjatë vitit të kaluar janë trajtuar 196 përdorues të heroinës.

XS
SM
MD
LG