Ndërlidhjet

NASH:"PAVARËSIA VJEN ME KUSHTE DHE PËRGJEGJËSI"


William NASH, ekspert pran Këshillit për Politikë të Jashtme/SHBA/


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nash, bisedimet për statusin e Kosovës kanë filluar. Si e shihni këtë proces, gjatësinë dhe ecurinë e tij?

WILLIAM NASH
Shpresoj shumë që do të gjendet një zgjidhje. Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët në bisedime ta marrin seriozisht procesin dhe të shohin mundësinë e kompromismeve, që do t'u shërbejnë banorëve të rajonit në shkallë të gjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e fundit i rekomandon bashkësisë ndërkombëtare që të jetë e përgatitur të imponojë pavarësinë për Kosovën. Si i shihni këto rekomandime duke pasur parasysh dhe dallimet ekzistuese mes Prishtinës dhe Beogradit?

WILLIAM NASH
Ka shumë që thonë se do të jetë e pamundur për politikanët e të dyja grupeve që të gjejnë një kompromis. Në këtë kuptim bashkësia ndërkombëtare të jetë e përgatitur që të imponojë zgjidhjen, e cila merr parasysh interesat e të gjitha palëve. Kjo në këndvështrimin e disave nuk do të jetë një zgjidhje e përsosur, por në të njëjtën kohë kjo mund të jetë e vetmja mënyrë që të zgjidhet kjo çështje brenda një kohe të arsyeshme. Mendoj se është e rëndësishme për të gjitha palët që të kuptojnë se ekziston një mundësi zgjidhje, pasi në një rast të tillë ka më shumë motivim për bisedime me vullnet të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni qenë administrator i Mitrovicës, ndërkohë që çështja e Mitrovicës nga një numër ekspertësh shihet si më delikatja në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Si do duket Mitrovica pas zgjidhjes së statusit?

WILLIAM NASH
Mitrovica do të jetë një çështje shumë e vështirë për t'u zgjidhur. Kjo është një arsye më shumë që bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Grupi i Kontaktit, të dëshmojë se do të ketë zgjidhje të problemit. Baza e çdo zgjidhje për Mitrovicën dhe Kosovën në tërësi duhet të jetë respektimi i të drejtave dhe nevojave të të gjithë individëve. Dhe negociatorët duhet të gjejnë zgjidhje për këtë çështje shumë të vështirë, që lidhet me faktin se njerëzit duhet të jenë të mbrojtur dhe të ecin përpara me jetët e tyre në mënyrë pozitive.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke qëndruar tek respektimi i të drejtave të individit, udhëheqësit e Kosovës kanë ofruar një paketë decenteralizmi dhe janë angazhur për respektimin e plotë të të drejtave të qytetarëve. Si e vlerësoni ju angazhimin e tyre, duke e krahasuar dhe me kohën kur ju keni qenë atje?

WILLIAM NASH
Mendoj se si për çdo gjë tjetër, ka udhëheqës që kanë një vizion më të gjerë, çfarë është i nevojshëm për një fund të suksesshëm, ashtu siç ka dhe udhëheqës të tjerë që mbeten më të fokusuar në një qasje patriotike të situatës. Mendoj se të talentuarit janë në mesin e të dyja palëve, në mesin e shqiptarëve dhe serbëve të përfshirë në këtë proces. Nëse e përdorin vizionin e tyre atëherë do të gjejnë një zgjidhje të mirë, apo thënë më saktë një zgjidhje të arsyeshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është opcioni që ka më shumë mbështetje për të ardhmen e Kosovës në mesin e vendeve të Grupit të Kontaktit?

WILLIAM NASH
Mendoj se është fakt që Kosova nuk do të jetë pjesë e Serbisë në të ardhmen. Çështja që shtrohet përpara lidhet me faktin që të sigurohet se gjithë qytetarët e Kosovës do të kenë të drejta dhe trajtim të barabartë. Një tjetër problem është që njerëzit, të cilët për shkak të rrethanave janë detyruar të lëvizin e që për pasojë të transformimit të pronës dhe burimeve nga një shtet sovran në një tjetër shtet sovran të sapoformuar, duhet të kompensohen. Duhet të kompesohen ata, jetët e të cilëve janë ndërprerë. Unë nuk jam posaçërisht për termin pavarësi e kushtëzuar, por pa diskutim pavarësia vjen me kushte dhe përgjegjësi, në mesin e të cilave janë dhe ato që kanë të bëjnë me kompensimin e individëve apo entiteve, jeta e të cilëve ndryshoi dukshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë kompensimesh keni parasysh konkretisht?

WILLIAM NASH
Ka lloje të ndryshme, por u takon negociatorëve të vendosin konkretisht. Sipas këndvështrimit tim, të një vëzhguesi jo zyrtar, njerëzit, jeta e të cilëve ka ndryshuar e janë zhvendosur duhet të kompensohen. Njëherësh njerëzit të cilët janë të gatshëm të marrin pjesë në këtë eksperiment të madh të një Kosove të lirë e të pavarur, pavarësisht kombësisë së tyre duhet të kompensohen për kurajon e tyre. Mendoj se është një mundësi që të fillohet me një përpjekje serioze nëse bashkësia ndërkombëtare do të nënshkruajë lindjen e një shteti të ri dhe një qasje të re të jetës në Ballkan.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush a do zgjidhet statusi i Kosovës këtë vit dhe cili do të jetë ai?

WILLIAM NASH
Mendoj se këtë vit zgjidhja e statusit do t'i afrohet shumë zgjidhjes. Ndoshta do të duhet shtyrja disi e vitit kalendarik që të arrihet një zgjidhje. Mendoj se kjo çështje do të përmbyllet brenda vitit tjetër. Nuk mund të them se si do të përfundojë pasi nuk jam i bindur se të gjitha palët e kanë marrë këtë proces seriozisht aq sa duhet. Ky është një proces që do ta vëzhgojë në javët që vijnë, për të parë se si lojtarë të ndryshëm i qasen kësaj sfide.

Intervistoi: Iliriana BAJO
XS
SM
MD
LG