Ndërlidhjet

SEJDIU: AHTISARIN E PRESIM TË PËRGATITUR MIRË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ekipi negociues i Kosovës ka miratuar sot një dokument që u përgjigjet disa kërkesave specifike të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. Ish-presidenti finlandez Ahtisari nesër vjen në Prishtinë, për të biseduar lidhur me kërkesat që i kishte drejtuar ekipit kosovar, e që kanë të bëjnë me pozitën e pakicave dhe disa çështje të tjera, si dhe për të diskutuar lidhur me vazhdimin e bisedimeve për decentralizimin që patën filluar më 20 shkurt në Vjenë dhe që pritet të vazhdojnë më 17 mars.
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, që kryeson ekipin negociues të Kosovës, tha se dokumenti i përgatitur nga grupi politik strategjik, është një dokument i përgatitur mirë dhe që u përgjigjet kërkesave të zotit Ahtisari:
"Miratuam një dokument të rëndësishëm që ka të bëjë me disa interesime të veçanta të kryetarit Ahtisari dhe ky dokument është përgatitur në fazën e deritashme nga grupi politik strategjik. Mendoj se ishte kontribut mjaft i mirë i të gjithë anëtarëve të delegacionit, që të begatohet edhe me ndonjë vërejtje eventuale që u desh të shtohej në tekst, por jo në esencë, pasi ishte mjaft mirë i përgatitur".
Presidenti Sejdiu tha se ky dokument pritet të jetë në qendër të diskutimeve me kryenegociatorin Ahtisari, i cili nesër vjen në Prishtinë:
"Do të bisedojmë për procesin e filluar, për takimin e Vjenës dhe natyrisht edhe për këtë dokument, si dhe për kahet e mëtejshme të zhvillimit të bisedimeve".
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se jo vetëm dokumenti i miratuar sot, detaje të të cilit nuk janë bërë publike, por edhe serioziteti me të cilin i janë qasur procesit të përcaktimit të statusit, bën që ekipi kosovar të jetë i përgatitur për procesin:
"Delegacioni i Kosovës me të gjitha ekipet e tij është jashtëzakonisht mirë i përgatitur dhe ato që ka shtruar deri më tash janë bazë e mirë që reflekton seriozitetin e çështjes dhe të gjithë materies që ne e kemi marrë dhe që do ta mbajmë edhe në vazhdimësi".
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari vjen nesër në Prishtinë, pas dy ditësh të qëndrimit të Beograd, për të vazhduar diplomacinë e tij të vajtje-ardhjeve në përpjekjet për të përcaktuar statusin përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG