Ndërlidhjet

SUSHICË: SHQIPTARËT DHE SERBËT JETOJNË TË QETË, POR ME SHQETËSIME PËR TË ARDHMEN


Albana Isufi, Prishtinë

Një kodër e vogël ndan fshatin Sushicë në pjesën shqiptare dhe serbe. Lëvizja në fshat është e lirë për të dyja komunitetet.
Shqiptarët dhe serbët jetojnë në paqe dhe kanë probleme të përbashkëta. Ndër më të mëdhatë: papunësia dhe kufizimet në furnizimin me energji elektrike.
Më shumë se 600 banorë të këtij fshati të Kosovës qendrore janë të brengosur për të ardhmen e tyre.
Të dy komunitetet jetojnë nga bujqësia, punët fizike e disa punojnë në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit. Të rinjtë në të shumtën e rasteve punojnë nëpër kafeteri.
23 vjeçari Halim Krasniqi merret me punë të ndryshme fizike. Papunësinë ai e ndien në lëkurën e vet, sepse siç thotë, gjendet si të mundet për të jetuar nga puna e tij. E vetmja shpresë për të janë politikanët:
“Qeveria e Kosovës ka mundësi të bëjë më shumë në fushën e punësimit, por unë e di se edhe ata kanë problemet e veta. Megjithatë mendoj se mund të bëjnë më shumë”, thotë Halimi.
Biljana Periçiç, punon në një dyqan ushqimor, që i takon familjes së saj. Ajo thotë se serbëve u duhet një perspektivë e qartë:
“Papunësia e të rinjve është problemi më i madh. Të rinjtë nuk punojnë, kryejnë shkollën dhe rrinë në shtëpi, i janë lënë vetëvetes, rrugëve dhe kafeterive. Derisa ekonomia të mos ngjallet, derisa nuk ka ndonjë ligj, nuk shoh se diçka po ecën mbarë. Me këtë disi po fundosemi, po humbim si në pikëpamje psiqike, ashtu edhe intelektuale”, thotë Periçiç.
Sushica nuk ka probleme ndëretnike. Megjithatë, përgjatë fshatit ka patrullime të rregullta të SHPK-së.
50 vjeçarja Periçiç thotë se në të kaluarën ka pasur më pak incidente, por sot siguria nuk është problem:
“Nuk ka incidente, ne tërë verës punojmë në ara. Nuk kemi pasur probleme, përveç atij djalit që qe plagosur në shkollë, nuk e di se si qe kryer kjo, me rëndësi është se djali është mirë. Tjetër gjë s’ka pasur. Në dyqanin tim edhe shqiptarët vijnë blejnë diçka, s’kemi pasur probleme”, thotë Periçiç.
Kjo vërtetohet edhe nga bashkëvendasi i saj shqiptar Halim Krasniqi, i cili thotë se qeveria duhet të bëjë më shumë për të krijuar një mjedis multietnik.
“Besoj se qeveria mund të bëjë më tepër, veçanërisht në këto fshatra ku jetojnë bashkë, shqiptarët, serbët, romët dhe të tjerët”, thotë Krasniqi.
Serbët vazhdojnë të mbajnë lidhje me Beogradin. Shumë nga banorët serbë të Sushicës punojnë në institucionet e financuara nga Serbia, prej nga vjen edhe ndihma e kohëpaskohshme. Por, sipas Periçiçit, është e nevojshme që serbët të krijojnë jetën aty ku jetojnë:
“Ata mund të na ndihmojnë materialisht dhe financiarisht. Por, ne duhet të kemi njëfarë jete këtu ku po rrojmë. Kjo është ndihmë e përkohshme. Ata nesër shkojnë, por ne mbesim këtu. Dhe nuk mund që çdo herë të llogarisim tek ta. Por, edhe si do që të bëhet këtu, le të gjallërohet diçka, ndonjë shtet, ose ndonjë ligj dhe serbët do qëndrojnë këtu”, thotë Periçiç.
Ndërkohë, decentralizimi, që afron qytetarët me pushtetarët përcillet me vëmendje në mjediset më të vogla. Sushica është pjesë e komunës së Prishtinës, edhe pse gjendet në një distancë të largët nga ajo. Megjithatë fshati është afër Graçanicës me shumicë serbe, e cila mund të shndërrohet në komunë.
Halim Krasniqi thotë se si shqiptar, nuk do të kishte diçka kundër që atje të kërkojë të drejtat e tij.
“Kur flas me shokë nuk kemi asgjë kundër decentralizimit. Për ne më mirë është që për ndonjë dokument të shkojmë në Graçanicë sesa në Prishtinë, sepse atje ka tollovi e këtu nuk e kemi atë problem. Kjo duhet të zgjidhet në mënyrë të drejtë, ashtu siç duhet, jo vetëm për shqiptarët dhe serbët, por për të gjitha komunitetet”.
Përderisa në pjesën shqiptare të fshatit ndërtohen objekte të reja, në atë serbe nuk ngrihet asgjë. Serbët lokalë thonë se u duhet një vizion i qartë se si do të duket Kosova nesër. Nëse do të ketë paqe, pavarësisht rezultatit përfundimtar të statusit, Periçiç thotë se serbët do të qëndrojnë:
“Prej momentit kur të zgjidhet statusi,nëse nuk paraqitet ndonjë 17 mars tjetër, të gjithë që jemi këtu do të qëndrojmë. Sepse ne mund të shkojmë në Serbi, po atje gjithçka është e vdekur, ekonomia e dobët, ai është shteti amë, por vatra jote është e jotja dhe aty duhet të qëndrojmë”.


XS
SM
MD
LG