Ndërlidhjet

AHTISAARI: NDRYSHIMET NË QEVERI DHE KUVEND NUK NDIKOJNË NEGATIVISHT NË PROCES


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dorëheqja e kryeministrit Bajram Kosumi dhe zhvillimet lidhur me ndërrimin e Nexhat Dacit nga posti i kryetarit të Kuvendit, nuk do të kenë ndikim negativ mbi procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës tha sonte në Prishtinë i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari. Ai tha se përkundrazi ishte siguruar nga ekipi negociues i Kosovës se procesi do të përshpejtohet:
"Unë pres se do të vazhdojmë me përshpejtim të shtuar të këtij procesi, prandaj nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndikim negativ mbi proceset që po i zhvillojmë nga Vjena," tha zoti Ahtisaari. Ai tha se këto ndryshime në krye të institucioneve të Kosovës janë punë e lidershipit politik dhe jo punë e dikujt nga jashtë:
"Qëndrimi im ndaj çështjeve të këtilla është se secila shtëpi jeton me rregullat e veta. Une s’kam ç’të komentoj për këtë, pasi kjo është punë e qeverisë dhe e lidershipit kosovar," tha kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, pas takimit me ekipi negociues të Kosovës, kryesuar nga presidenti Sejdiu. Ky i fundit tha se ndryshimet e sotme janë pjesë e një procesi normal:
"Janë pjesë të procesit normal. Unë do të përpiqem të bashkëpunoj me të gjithë faktorët që të bëjmë një konsolidim shumë të shpejtë. Në mandatin tim është që të bëj konsultime me partitë politike të koalicionit dhe që zgjedhja e institucioneve, e udhëheqësve të institucioneve të jetë shumë e shpejtë dhe efikase".
Presidenti Sejdiu premtoi se shumë shpejt do ta emërojë edhe mandatorin për kryeministër të Kosovës, ndërkohë që lideri i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi, duke komentuar ndryshimet e sotme tha:
"Procesi për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës nuk është i lidhur me individin, është vullneti i qytetarëve të Kosovës, prandaj ne si liderë politikë e kemi obligim vetëm të zbatojmë në praktikë dhe këtë edhe do ta bëjmë".
Ndërkaq, Veton Surroi, kryetar i partisë Ora tha se kjo që ka ndodhur sot është dashur të ndodhë madje edhe më herët:
"Ndërrimet rrënjësore në institucionet e Kosovës është dashur të ndodhin para një viti e ndoshta edhe më shumë. Për fat të keq është dashur një vit që të konkludohet se nga njëra anë kemi paralizë në Kuvend për shkak të keqpërdorimit apo uzurpimit të të drejtave demokratike dhe një joefikasitet qeveritar, për të cilin kemi folur qysh para një viti."
Sipas zotit Surroi, ky është një proces dinamik dhe meqenëse është treguar përgjegjësi pozitive demokratike me rastin e zgjedhjes së kryetarit në një situatë të vështirë, edhe tash ky proces duhet të kryhet me kohë dhe efikasitet.
Sidoqoftë, në takimin e sotëm me zotin Ahtisaari, presidenti Sejdiu tha se është diskutuar lidhur me pyetësorin që ai i kishte drejtuar ekipit negociues. Ne i kemi bërë përgjigjet për to dhe ato janë përgjigje që kanë të bëjnë me realitetin e krijuar në Kosovë, tha presidenti Sejdiu.
Zoti Ahtisaari tha se në fundjavë do të shkojë në Nju Jork për të takuar Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan dhe Këshillin e Sigurimit, ndërsa më pas në Uashington do të bisedojë edhe me zyrtarë të qeverisë amerikane, pastaj me përfaqësues të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG