Ndërlidhjet

SMAKA: NË KOSOVË NUK KA VAKUUM INSTITUCIONAL


Albana Isufi, Prishtinë

Krijimi i qeverisë së re pas dorëheqjes së djeshme të kryeministrit Bajram Kosumi, sipas ekspertëve juridikë mund të bëhet menjëherë, pasi kandidati i ri për kryeministër përpilon listën e kabinetit të ri qeveritar. Por ekspertët thonë se kontestues mbetet zëvendësimi i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Shkarkimi i kryeparlamentarit Nexhat Daci, u kërkua dje nga Kryesia e Lidhjes së Demokratike të Kosovës. Profesori në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Riza Smaka, thotë se duhet përmbajtur në interpretimin e rregulloreve, kur bëhet fjalë për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit.
"T'ju them apriori sa i përket kryetarit të Kuvendit, do të ishte korrekte që të përmbahemi nga eksplorimi apo interpretimi i rregullave nga procedurat e emërimit dhe të shkarkimit. Është shkaku se zëvendësi i tij e kontestoi dorëheqjen apo shkarkimin."
Juristi Riza Smaka thotë se kryesia e një partie nuk është organi legjitim që vendos për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit.
"Kuvendi ju lutem ka mekanizmat e funksionimit, për momentin e kemi kryetarin e Kuvendit. Kryesia e një partie ka propozuar, por fundi i fundit kryesia nuk është organi legjitim, e miraton kuvendi këtë çështje. Prandaj kjo është çështje hipotetike. Ne do të operojmë me çështjet ekzistente, jo me ato hipotetike. Gjithshka do bëhet sikundër do bëhet."
Pavarësisht ndryshimeve që ndodhën në institucionet e Kosovës, Smaka konsideron se Kosova nuk është në vakuum institucional. Përderisa këto çështje janë në fazën e diskursit politik, kryetarin e Kuvendit e kemi, tek e fundit kuvendi ka dhe nënkryetar të Kuvendit dhe nuk është si të thuash krizë parlamentare në atë kuptim, as ndonjë vakuum institucinal."
Me dorëheqjen e kryeministrit, sipas Kornizës Kushtetuese bie e tërë qeveria. Megjithatë eksperti Smaka thotë se qeveria në dorëheqje do të funksionojë deri në zgjedhjen e kabinetit të ri qeveritar.
"Qeveria, deri në momentin e konstituimit të qeverisë së re do t'i ushtrojë të gjitha funksionet që ka përsipër qeveria. U morr vesh që ajo do të jetë edhe më e plogësht, edhe më anemike".
Dorëheqja e kryeministrit Bajram Kosumi dhe kërkesa për shkarkimin e kryeparlamentarit Nexhat Daci u bë në pasditen e djeshme. Përderisa Kosumi ka thënë se po e bën një akt të tillë për arsye morale, Kryesia e LDK-së nuk ka dhënë sqarime konkrete për largimin e kryetarit të Kuvendit dhe zëvendësimin e tij me nënkryetarin e LDK-së Kolë Berisha.

XS
SM
MD
LG