Ndërlidhjet

GOLBERG: VENDIMET E MARRA JANË DEMOKRATIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ndryshimet në kreun e qeverisë dhe të Kuvendit kanë qenë nevojë për një energji të re, në mënyrë që të bëhet krejt çka është e nevojshme që statusi të zgjidhet brenda këtij viti, tha sot në Prishtinë shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, i cili ka biseduar me presidentin Sejdiu lidhur me mundësitë e përshpejtimit të zgjedhjes së udhëheqësve të rinj.
Unë e mirëpres faktin se autoritet e kanë vërejtur se një energji e re në të gjitha anët do t’i bënte mirë Kosovës, tha Jessen Petersen:
"Institucionet demokratike po funksionojnë shumë mirë dhe ajo që po ndodh është se të gjithë po e shohim nevojën për energji të re, pra kjo nuk është krizë, por injektim i një energjie të re," tha Petersen, duke përkujtuar se Kosova mund ta tejkalojë me sukses këtë zhvillim normal demokratik.
Ndërkaq, shefi i zyrës amerikane në Prishtinë Philip Goldberg, pas një takimi me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, tha se është fatkeqe që dikush synon ta akuzojë zyrën amerikane apo të përfshijë zyrën amerikane në ato që janë çështje të brendshme të Kosovës, tha Goldberg. Ai tha se është e vërtetë zyra amerikane konsultohet përditë lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe jemi të lumtur që kërkohen pikëpamjet tona, të cilat ndonjëherë pranohen e ndonjëherë nuk pranohen:
"Vendimet e marra këtu janë demokratike dhe të marra nga partitë politike, që janë anëtare të një koalicioni dhe ato vendime u takojnë atyre, prandaj është fatkeqe që Shtetet e Bashkuara të futen aty," tha shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, duke komentuar disa vlerësime për përfshirjen amerikane në ndryshimet e fundit.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka hedhur poshtë mundësitë e krizës qeveritare në Kosovë, pasi këto ndryshime kanë qenë përcaktim i partnerëve të koalicionit qeveritar, tha ai:
"Zoti Çeku e ka marrë mandatin dhe e ka për borxh kushtetues të bëjë konsultimet e nevojshme me partitë politike, me partnerët e koalicionit dhe partnerët e tjer. Besoj që në kohën më të shkurtër, siç është proces normal demokratik në vendet me demokraci të avancuar, ta bëjë dhe para parlamentit dhe besoj që edhe parlamenti do ta gjejë momentin e përshtatshëm që të bëhet hapi i parë në këtë drejtim".
Në anën tjetër, zoti Agim Çeku që dje është nominuar zyrtarisht nga presidenti Sejdiu për të formuar qeverinë e re, sot ka nisur konsultimet për qeverinë e re, duke u takuar me të gjitha subjektet politike. Pas një takimi me kryesinë e Lidhjes Demokratike, gjeneral Çeku tha se deri kah mesi i javës së ardhshme do të kishte rezultate konkrete:
"Veç sa i kam filluar konsultimet praktikisht dhe rezultatet mund te priten javën tjetër, kah mesi i javës", tha mandatari për formimin e qeverisë së re të Kosovës, gjeneral Agim Çeku, ndërkaq, nënkryetari i LDK-së, Naim Jerliu u shpreh:
"Ky ishte takimi i parë që gjeneral Çeku erdhi të bëjë me udhëheqjen e LDK-së, që nga nominimi nga presidenti Sejdiu për mandatar të qeverisë dhe besojmë se LDK-ja me kohë do të procedojë lidhur me nominimet në këtë proces për qeverinë në mandatin e gjeneral Çekut."
Ndërkohë që kanë vazhduar konsultimet për qeverinë e re, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka vizituar sot kompleksin memorial të komandantit të parë të UÇK-së, Adem Jashari në Prekaz të Skënderajt.



XS
SM
MD
LG