Ndërlidhjet

NDRYSHIMET THYEJNË MENDËSINË E BARAZIMIT TË LIDERIT ME INSTITUCIONIN


Dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi dhe shkarkimi i kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci kanë vënë dhe një herë në sprovë serioze kulturën politikë dhe qëndrueshmërinë institucionale në këtë vend. Pas menaxhimit të suksesshëm të tronditjes politike që kishte shkaktuar dorëheqja e ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe pjekurisë politike me të cilën u nderua figura e kryetarit të ndjerë Ibrahim Rugova, kjo e treta, duket të jetë dhe e vërteta, për ta vërtetuar këtë qëndrueshmëri institucionale dhe politike.
Përderisa Bajram Kosumi ofroi vetë dorëheqjen me ç'ka provokoi rënien e qeverisë dhe hapi rrugën që të caktohet mandatari i ri, Nexhat Daci nuk e ka pranuar vendimin e partisë së vetë. Kësisoj ai ka paralajmëruar mundësinë e hapjes së një konflikti politik brenda LDK-së, por edhe brenda grupit të deputetëve të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës. Një fjalë e urtë thotë se ai që humb ka të drejtë të ankohet. Kjo me siguri vlen dhe për Nexhat Dacin. Por ajo që nuk duhej të vlente as për të dhe për askënd tjetër ka të bëjë me provokimin e krizave politike dhe lansimin e paragjykimeve ndaj aleatëve të Kosovës.
Dorëheqjet dhe shkarkimet janë procedura normale në një shoqëri demokratike dhe duhen pranuar si të tilla nga pjesëmarrësit në garën politike, pa lansuar akuza dhe teori komploti. Por zhvillimet e ditëve të fundit duket se do të sjellin disa kualitete të reja në kulturën politike në Kosovë. E para, duket se me këtë rast po thyhet mendësia e barazimit të liderit me institucionin e madje me shtetin. Shkarkimi i Dacit është shenjë e qartë se pas Rugovës me këtë letër nuk do të luajë më askush. Në fakt kjo është shenjë e qartë e derugovizimit të politikës në Kosovë. Tash e tutje duket sheshit se bartësit e funksioneve do të jenë të kontrollueshëm e të ndërrueshëm, siç ndodh në shoqëritë e mirëfillta demokratike.
E dyta, rënia e qeverisë Kosumi do të lërë pas vetes mesazhin e qartë se korrupsioni do t'u hajë kokën bartësve të tij.
E treta, në fazën përcaktuese të statusit të Kosovës bllokuesit e partneritetit me aleatët duket se nuk do të mbijetojnë politikisht nëse do të manifestojnë arrogancë dhe prirje megallomano-lideriste.
Sidoqoftë, nëse edhe kriza më e re do të përballohet me sukses ajo do të prodhojë dhe një argument shtesë në favor të pavarësisë. Do të vërtetohet së ndërrimi i qeverive dhe zyrtarëve të lartë nuk do të shkaktojë tronditje destabilizuese dhe anarki, por do të jetë konform rregullave të lojës demokratike duke ruajtur qëndrueshmërinë e institucioneve dhe të vendit.

Milazim Krasniqi
XS
SM
MD
LG