Ndërlidhjet

PROGRAMI I QEVERISË DHE JO EMRAT, JANË VENDIMTAR, THONË SERBËT E KOSOVËS


Ndryshimet në kreun e Qeverisë dhe Kuvendit nuk do të ndikojnë në situatën politike në Kosovë, mendojnë përfaqësues të serbëve të Kosovës. Ata thonë se programi i qeverisë së re dhe jo emrat, do të jenë vendimtar për pozicionin e tyre ndaj pjesëmarrjes në institucione.
"Mbetja ime në qeverinë e re të Kosovës varet nga rezultatet e bsedimeve me mandatorin e ri për formimin e qeverisë së Kosovës, gjeneralin Agim Çeku", tha ministri për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkoviq. Meqenëse dorëheqja e kryeministrit sipas Kornizës Kushtetuese e ka vënë në dorëheqje gjithë kabinetin ministror, edhe Sllavisha Petkoviq, i cili përfaqëson bashkësinë serbe është ministër në dorëheqje. Petkoviq ende nuk e di nëse do të jetë ministër edhe në qeverinë Çeku:
"Nuk e di. Nëse merret parasysh puna ime, atëherë kryeministri i ri sigurisht do të më ftojë për të biseduar, por fakti se ai do të më ftojë nuk do të thotë se edhe do të jem në këtë qeveri të re", tha Petkoviq, sipas të cilit atij i duhet ta shohë planin dhe programin e kryeministrit të ri për të vendosur nëse do të jetë pjesë e tij.
Pasi është nominuar mandatar për formimin e qeverisë, zoti Agim Çeku ka filluar konsultimet me subjektet politike, ndërkohë që ende nuk dihet nëse do të ketë ndryshime rrënjësore edhe në vetë kabinetin e ri qeveritar, apo se cilët ministra do të vazhdojnë të kryejnë funksionet që kanë pasur edhe në qeverinë Kosumi, i cili dha dorëheqje në fillim të javës.
Në këtë kuptim shtrohet edhe çështja nëse pas ndryshimeve në kreun e qeverisë dhe të Kuvendit, Lista Serbe për Kosovën e Metohinë që ka tetë vende deputetësh të rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe një post ministror, do ta shqyrtojë pozicionin e saj aktual të bojkotit ndaj Kuvendit dhe Qeverisë. Bartësi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq thotë se po e përcjellin situatën me kujdes, ndërsa qëndrimet për hapat e mëtejshëm do të merren pas konsultimeve brenda vetë këtij subjekti politik:
"Ne po e përcjellim situatën me kujdes dhe lidhur me personalitetet do të vendosim në bazë të asaj që veprojnë dhe jo në bazë të fjalëve të bukura që mund të thonë", tha Ivanoviq, sipas të cilit kandidatët e deritashëm për postin e kryeministrit, kryesisht kanë pasur deklarata të mira, por pak nga ato që janë thënë janë reflektuar edhe në jetën e përditshme.
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës mendojnë se ndryshimet në Kuvend dhe në Qeveri kanë qenë të pritura dhe të dëshirueshme, pasi sipas tyre pushteti nuk ka bërë sa duhet për të përmirësuar kushtet e jetës për bashkësinë serbe. Bartësi i Listës Serbe, Ivanoviq thotë se ndryshimet kanë qenë të mirëseardhura:
"Këto ndryshime për ne nuk kanë qenë të papritura. Ndoshta personalitetet që janë paraqitur si kandidatë janë diçka e re dhe e papritur, por gjithsesi është pritur të ndodhin këto ndryshime", tha Ivanoviq , për të shtuar se nga pikëpamja e serbëve të Kosovës është pak e rëndësishme se kush do të zgjidhet për të udhëhequr Qeverinë dhe kush do të zgjidhet për të udhëhequr Kuvendin.
Sllavisha Petkoviq thotë se ndryshimet në pozitat udhëheqëse nuk do të ndikojnë në situatën e përgjithshme politike:
"Ndryshimet janë bërë pasi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë e pakënaqur nga puna e kryeministrit Kosumi, i cili është anëtar i Aleancës, prandaj vendimi i tyre është i ligjshëm dhe është e drejtë e tyre të propozojnë kryeministrin e ri", tha Petkoviq, për të shtuar se kjo nuk është kurrfarë befasie dhe nuk paraqet kurrfarë problemi, për të dhe për bashkësiënë që ai përfaqëson.

Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG