Ndërlidhjet

MILOVANOVIC:"NUK KA RËNIE TË INTERESAVE TË SHBA-ve PËR RAJONIN"


Gillian MILOVANOVIC, Ambasadore e SHBA-ve në Maqedoni

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja ambasadore, këtë vit në Maqedoni zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Si i vlerësoni dallimet ndërmjet interesave të partive dhe të shtetit. Cilat prej tyre do të mbizotërojnë?

GILLIAN MILOVANOVIC
Në përgjithësi mendoj se interesat e partive do të duhej të ishin interesat e shtetit. E kuptoj se partitë dëshirojnë të luftojnë për platformat e tyre politike. Shpresoj se synim i të gjitha partive do të jetë të prezantojnë programet e tyre dhe t'u shpjegojnë votuesve së në ç'mënyrë e kanë ndërmend të jetësojnë programet e tyre. Kjo do të ishte më mirë se të fillojnë të ecin në drejtim të rrugëve problematike për ta prezantuar veten. Nëse e marrin rrugën e parë, atëherë kjo do të jetë në interes të Maqedonisë, sepse zgjedhjet janë pika kritike sa i përket ardhmërisë evro-atlantike të Maqedonisë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për anëtarësim në BE ose NATO. Këto zgjedhje duhet të jenë absolutisht të lira dhe të drejta dhe jo vetëm në ditën kur votohet, por edhe gjatë fushatës parazgjedhore.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Marrëveshja e Ohrit mund të shërbej si model për zgjidhjen e disa çështjeve të hapura politike në rajon?

GILLIAN MILOVANOVIC
Fillimisht dua të them se vendimi për statusin e Kosovës do të varret nga bisedimet që zhvillohen nën udhëheqjen e Marti Ahtisarit. Por, ne pajtohemi me idenë që përvoja e Maqedonisë, përkatësisht Marrëveshja e Ohrit dhe veçanërisht fillimi i sukseshëm i procesit të decentralizimit mund të përdoret si model. Është çështje tjetër si dhe në ç'mënyrë ky model do të përdorej. Për këtë duhet të vendosin palët në Kosovë. Ato duhet të vendosin se cilat pjesë të kësaj marrëveshje do të mund të zbatoheshin. Në Maqedoni procesi i decentralizimit ka nisur shumë mirë, zabtimi i tij ka marrë një drejtim të mirë përkundër faktit që shumë gjëra kanë mbetur për t'u zbatuar. Qeveria dhe pushteti u janë afruar qytetarëve dhe grupeve të ndryshme etnike. Përfundimisht kjo marrëveshje ka fuqinë e modelit.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është pozita e SHBA-ve për sa i përket demarkacionit të vijës kufitare ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës?

GILLIAN MILOVANOVIC
Demarkacioni i kufirit është diçka që duhet të bëhet si pjesë e bisedimeve për statusin final të Kosovës. Se në cilën fazë të bisedimeve do të bëhet, varret nga dinamika e tyre. Ne konsiderojmë se çështja e vijës kufitare duhet të zgjidhet gjatë bisedimeve për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka në Maqedoni forca radikale që mund të kenë ndikim në situatën e sigurisë në përgjithësi?

GILLIAN MILOVANOVIC
Me sa dijmë ne, nuk ka. Me sa duket gjithnjë ka brengosje se mund të paraqiten tensione etnike. Ne nuk shohim ndonjë rrezik për këtë rajon. Partitë politike në vend pajtohen se dëshirojnë të ndërtojnë një Maqedoni unitare dhe që të gjithë qytetarët të jenë pjesë e një shteti, duke e ndërtuar edhe ardhmërinë e tyre evro-atlantike. Por, zgjedhjet ndonjëherë shkaktojnë shqetësime dhe njerëzit shqetësohen gjatë fushatave zgjedhore. Ate që unë e sugjeroj është shpresa e ime se elementi etnik nuk do të jetë shenja e fushatës parazgjedhore.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë këtij viti në Riga do të mbahet samiti i NATO-s. A mund të pritet që vendet e Grupit të Adriatikut, përkatësisht Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia do të marrin ftesë për anëtarësim?

GILLIAN MILOVANOVIC
SHBA-të një kohë të gjatë mbështesin politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Nuk vlerësojmë se procesi i zgjërimit të NATO-s ka përfunduar. Ne mendojmë se zgjërimi i NATO-s do të vazhdojë dhe vendet e Grupit të Adriatikut, përkatësisht Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia duhet të vazhdojnë përgatitjet për mundësinë e marrjes së ftesave. Samitin e Rigas nuk e konsiderojmë si takim ku do të vihet në rend dite çështja e zgjërimit, por shpresojmë se deri në vitin 2008 këto tri vende do të bëjnë një punë shtesë për të qenë në pozitë të mirë nëse NATO vendos të dërgojë ftesat.

RADIO EVROPA E LIRË
Greqia dhe Maqedonia janë pajtuar që të mos hapin çështjen e emrit gjatë kohës së zgjedhjeve. Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojan, tha se Maqedonia duhet të angazhohet më shumë për zgjidhjen e këtij problemi. Cila anë do të duhej të bënte më shumë që kjo çështje të zgjidhet?

GILLIAN MILOVANOVIC
SHBA-të mbështesin procesin që është nisur në Kombet e Bashkuara. Zgjidhja e këtij problemi duhet të bëhet në interes të dy vendeve. Unë dhe qeveria e SHBA-ve shpresojmë se të dy palët, Maqedonia dhe Greqia, do të vazhdojnë bisedimet brenda kornizave të OKB-së dhe në formë aktive të kërkojnë zgjidhje për çështjen e emrit që do të ishte në dobi të të dy palëve. Ndonëse nuk kam ndërmend ndonjë datë të caktuar për zgjidhjen e kësaj çështje, ate që duhet bërë është vazhdimi i bisedimeve në OKB. Nëse ka përpjekje për të afruar gjërat, atëherë këto çështje mund të zgjidhen.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të kishit thënë nëse ju pyesin ta vlerësoni reformën e gjyqësisë në Maqedoni?

GILLIAN MILOVANOVIC
Do të kisha thënë se janë bërë shumë përpjekje në agjendën e legjislativës së reformës së gjyqësisë në Maqedoni. Shumë ligje tanimë janë miratuar, një numër më i madh ligjesh është në fazën e përgatitjes dhe për sa i përket kësaj ka një dinamikë pozitive. Por mbetet fakti se gjyqësia nuk punon mirë në këtë çast, sidomos gjykatat nuk punojnë mirë. Ka një problem real në koordinimin e policisë, prokurorit publik, gjykatës dhe tërë vertikales gjyqësore. Kjo është diçka për të cilën do të nevojitet më shumë kohë dhe mbi të cilën duhet të punohet në mënyrë të pandërprerë. E përshëndes atë që është bërë deri tani në fushën e reformave të gjyqësisë, por ka edhe shumë çka për të bërë në drejtim të zbatimit të këtyre masave. Të gjithë këto reforma janë shumë kritike për integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë mase maqedonasit, që janë me status të mirë financiar, kanë investuar në vendin e vet? Sa janë të rëndësishme investimet e tyre për ekonominë e shtetit?

GILLIAN MILOVANOVIC
Nuk kam të dhëna rreth kësaj, por mendoj se maqedonasit që janë në pozitë të investojnë, shumë shpesh i kanë të njëjtat probleme me të cilat do të ballafaqohej dhe një investitor i huaj. Përveç sistemit njësportelësh, që është gjë shumë e mirë, mbeten edhe shumë pengesa burokratike dhe komplekse, përmes së cilëve do të duhet të kalojë një investitor dhe njëkohësisht i dekurajojnë njerëzit. Ka shumë probleme të tjera, siç janë prona e tokave, ndërtesave, çështjeve që kanë të bëjnë me ligjet për punë, që në fakt është diçka që vazhdon të jetë pengesë. Ndoshta këto janë pengesa reale apo psikologjike, unë nuk jam në pozitë të gjykoj, por mendoj se këto janë sferat ku duhet të vazhdojnë reformat duke e përfshirë këtu edhe mundësinë për qasje të informatave.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është vlerësimi juaj për lirinë e mediave në Maqedoni?

GILLIAN MILOVANOVIC
Përsa i përket qëndrimit tonë mediat janë në të vërtetë të lira nga përzierjet e qeverisë. Unë jam pozitivisht shumë e habitur nga numri i mediave që ekzistojnë në vend. Janë shumë, kurse, si do përdoren është diçka krejtësisht tjetër. Duke i përmendur prapë zgjedhjet do të them se shpresoj shumë që mediumet në mënyrë konstruktive do ta luajnë rolin e vet së bashku me aspektet e tjera të shoqërisë, domethënë me qeverinë, partitë politike, OJQ-të. Për shkak të faktit se ka shumë media ata duhet të informojnë publikun në mënyrë faktografike, duke u mundësuar kandidatëve nga partitë e ndryshme vend të njëjtë në procesin e prezantimit të programeve dhe të propozimeve të tyre. Unë shpresoj se mediumet do ta bëjnë atë sepse ka shumë vend për këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke u bazuar nga disa të dhëna, është zvogëluar buxheti i SHBA-ve prej rreth 100 milion dollarësh sa i përket ndihmës për Ballkanin. A është e saktë kjo dhe mbi çfarë arsyetimesh bazohet ky vendim?

GILLIAN MILOVANOVIC
Ka disa zvogëlime në fondet e buxhetit të SHBA-ve, jo vetëm për Ballkanin, por në përgjithësi. Për fat të keq, shkaku i këtyre vendimeve është lidhur drejtpërdrejt me shkatërrimet e uraganit "Katrina" dhe me situatat e tjera të këtij lloji që tronditën SHBA-të. Gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit Maqedonia fitoi më shumë se 500 milion dollarë. Nëse e marrim edhe këtë vit, do të shohim se ndihma arriti 50 milion dollarë, gjë që nuk është ndryshuar shumë prej viteve të kaluara. E tërë kjo ndihmë buronte nga shumë agjenci të ndryshme si USAID, Departamenti i gjyqësisë, i financave, dhe i mbrojtjes. Maqedonia edhe më tej do të marrë përafërsisht po të njëjtën shumë si deri tani, gjë që mendoj se është shumë pozitive. Nuk ka zvogëlim të interesave të Shteteve të Bashkuara për këtë rajon, bile janë edhe më të mëdha. Ka një dëshirë që ta shohim mbarimin e bisedimeve për Kosovën këtë vit, të shohim edhe shumë përmirësime në vende të tjera, në mënyrë që rajoni të lëvizë përpara. Pra nuk ka zvogëlim të interesave tona në këtë vend apo në tërë rajonin.

INTERVISTOI: IVAN BLLAZHEVSKI
XS
SM
MD
LG