Ndërlidhjet

SEANCA E KUVENDIT TË KOSOVËS PRITET TË MBAHET MË 9 MARS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Grupet parlamentare kanë kërkuar nga kryesia e Kuvendit të Kosovës që të thërrasë seancën plenare për datën 9 mars, në të cilën, fillimisht sipas një kërkesë të LDK-së, do të zëvendësohej kryetari aktual i Kuvendit, Nexhat Daci me nënkryetarin e kësaj partie Kolë Berisha, e më pas, pas një pauze, do të votohej dhe për zgjedhjen e kryeministrit dhe qeverisë së re të Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Alush Gashi, tha se beson që pas zëvendësimit të Dacit në postin e kryetarit të Kuvendit, edhe mandatari i ri i qeverisë, Agim Çeku, deri në seancën e radhës do të ketë të gatshme listën e ministrave për të dalë para Kuvendit dhe për të marrë mandatin e kryeministrit të Kosovës:
“Ne si grup parlamentar presim që kryetari i Kuvendit Nexhat Daci sa më parë ta mbajë mbledhjen e kryesisë së Kuvendit dhe ta vërë në rend dite plotësimin e dy anëtarëve të kryesisë nga radhët e LDK-së. Mundet në atë seancë mandatari të dalë me listën, pasi zgjedhja e qeverisë bëhet në paketë”, tha Gashi.
Ndërkohë, sipas Ramush Tahirit, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci, në seancën e radhës mund të pritet vetëm zëvendësimi i Dacit, sipas kërkesës së LDK-së, por nuk mund të pritet zgjedhja e kryeministrit dhe qeverisë së re:
“Qeveria si duket nuk ka gjasa që të procedohet këtë javë, që është çështje më urgjente e Kosovës, sepse lidhen dhe bisedimet (për statusin), për arsye se mandatari i qeverisë, gjenerali Agim Çeku duhet t’i bëjë konsultimet me të gjitha partitë politike”, theksoi Tahiri.
Mirëpo në anën tjetër, anëtari i kryesisë së Kuvendit nga radhët e AAK-së, Naim Maloku tha se besonte që më datën 9 mars Kosova do ta ketë kryeministrin dhe qeverinë e re të zgjedhur:
“Unë besoj që seanca do të mbahet gjatë javës. Janë të gjitha informacionet që qeveria do të jetë gati para 9 marsit”, pohoi Maloku.
Në anën tjetër, kryesuesi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq ka biseduar sot me shefin e administratës ndërkombëtare Soren Jessen Petersen për përfshirjen e mundshme të këtij subjekti politik në qeverinë e re të mandatarit Agim Çeku. Ivanoviq tha se do të pranonte ftesën e Çekut për të biseduar:
“Deri më tash nuk kemi pas kontakte me Çekun, por nëse na fton, ne do të takohemi”, tha Ivanoviq. Sidoqoftë, pjesëmarrja e Listës Serbe në qeverinë e Kosovës, sipas tij, duhet të ketë dhe mbështetjen e Beogradit.
Kryesia e Kuvendit do të mblidhet nesër kur edhe do të caktojë datën dhe rendin e ditës së seancës plenare. Nëse kabineti i ministrave të mandatarit të nominuar Agim Çeku, nuk do të ketë ndryshime nga kabineti i kryeministrit në dorëheqje Bajram Kosumi, atëherë pritjet e partive në koalicion janë që seanca e radhës të sjellë si rezultat zgjedhjen e kryeministrit dhe qeverisë së re të Kosovës.



XS
SM
MD
LG