Ndërlidhjet

BISEDIMET NË VJENË MË 17 MARS


Albana Isufi, Prishtinë

Takimi i ardhshëm i Vjenës, sipas zyrës së Marti Ahtisarit, të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin përfundimtar të Kosovës, do të mbahet më 17 mars, datë kjo që qe caktuar gjatë takimit të parë të delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, më 20 dhe 21 shkurt në Vjenë.
Zyrtari për informim i zyrës së Ahtisarit në Vjenë, Remi Durlot, i tha radios "Evropa e Lirë" se nuk do të ketë shtyrje të takimit.
"Për ne data nuk ka ndryshuar. Zoti Ahtisari ka qenë shumë i qartë javën e kaluar se data për takimin e ardhshëm është më 17 mars", tha Remi Durlot.
Në fakt ministri për pushtetin lokal, Lufti Haziri, ka thënë të premten e kaluar, se takimi i ardhshëm i Vjenës mund të shtyhet për shkak të agjendës së Ahtisarit. Ndërsa sot zoti Haziri i tha radios "Evropa e Lirë" se takimi do të mbahet ashtu si e cakton zyra e Marti Ahtisarit.
Ndryshe, sipas Remi Durlot, tashmë është caktuar agjenda e takimit të ardhshëm në Vjenë.
"Do të ketë një takim pasues mbi decentralizimin, me disa çështje të tjera shtesë, që po ashtu janë të lidhura me decentralizimin. Më herët palët kanë diskutuar çështjet si mirëqënia sociale, kujdesi shëndetësor. Përveç këtyre temave do të diskutohet çështja e financimit të komunave si dhe lidhja e mundshme e komunave, tha Durlot.
Anëtari i delegacionit serb, Rangjel Nojkiq, thotë se në takimin e ardhshëm do të diskutohet edhe lidhja speciale mes komunave dhe Beogradit. Nojkiq shpreson se të dy palët do të arrijnë marrëveshje, por për këtë thotë se është e domosdoshme që bisedimet të nisin me kërkesa reale.
"Atje ku nuk merremi vesh mendoj se është bashkësia ndërkombëtare që do të gjejë mënyrë të zgjidhjeve të këtyre problemeve dhe konsideroj se duhet të jemi objektivë dhe precizë dhe kërkesat tona të jenë reale", tha Nojkiq.
Në takimin e ardhshëm të Vjenës, delegacioni kosovar për bisedime, nuk do të ndryshojë përbërjen e tij, pavarësisht ndryshimeve të kabinetit qeveritar. Ndryshimet e fundit në skenën politike kosovare, sipas zyrës së Marti Ahtisarit, nuk do të ndikojnë aspak në procesin e bisedimeve. Për më tepër kjo zyrë thotë se ndryshimet do ta shpejtojnë procesin.






XS
SM
MD
LG