Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS TË PREMTEN ZGJEDH KRYEMINISTRIN DHE KRYEPARLAMENTARIN E RI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur sot parimisht që seanca në të cilën do të votohet për qeverinë e re të Kosovës dhe për ndërrimin e zotit Nexhat Daci nga posti i kryetarit të kuvendit, do të mbahet të premten më dhjetë mars. Kështu thanë pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit, kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci dhe anëtari i kryesisë nga Partia Demokratike Xhavit Haliti.
"Unë e kam ftuar kryesinë me qëllim – nuk do të ketë asnjë minutë zhagitje pas plotësimit të kushteve procedurale që të mbahet seanca plenare. Ne jemi marrë vesh për të premten, sepse nuk janë plotësuar një numër i kërkesave që kanë ardhur për seancë të jashtëzakonshme nga AAK, nga grupi 6 plus që të mbahet seanca plenare dhe nuk do të ketë asnjë zgjatje", tha zoti Daci, ndërkohë që anëtari i kryesisë, Xhavit Haliti tha se ende nuk janë përmbushur kushtet e nevojshme që mundësojnë një seancë të duhur:
"Akoma nuk janë plotësuar procedurat formale, të cilat besoj që sot ose nesër, presidenti i Kosovës do t’i plotësojë , që do të thotë mandatarin e të qeverisë së Kosovës dhe kabinetin e tij t’ia propozojë kryesisë së kuvendit, me qëllim që seanca të votojë për kabinetin e ardhshëm".
Zoti Nexhat Daci, shkarkimin e të cilit e ka kërkuar deri më tash kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa grupi parlamentar i kësaj partie ka proceduar në kryesi kërkesën për ndërrimin e tij me zotin Kolë Berisha, tha se nuk dëshironte të paragjykonte rrjedhën e votimeve për këtë çështje, edhe pse, tha Daci, tre javë më parë kishte marrë votëbesimin me vota të fshehta në Kuvend:
"Unë do të pres mendimin e deputetëve dhe nuk paragjykoj. Unë ju thashë që tre javë më parë deputetët e kanë shprehur, por është e drejtë e tyre dhe unë nuk llogaris dhe nuk manipuloj".
Sidoqoftë, zoti Daci tha se dëshironte t’i demantonte disa akuza që i janë bërë atij për qëndrim antiamerikan:
"Edhe një herë po them, ashtu siç e kam përsëritur gjithmonë, që vetëm zoti dhe SHBA e shpëtuan popullin tonë nga shfarosja. Ju e dini se SHBA gjatë bombardimit të NATO-s shpenzuan më shumë se 12 miliardë dollarë për Kosovën, ndërsa pas luftës, në forma të ndryshme japin ndihmë konkrete në Kosovë në shumë 600 milionë dollarë në vjet, që është gati sa i gjithë buxheti i Kosovës."
Prandaj, zoti Daci tha se nuk kishte qenë dhe as ishte me orientime antiamerikane dhe se kishte qenë vazhdimisht në raporte të mira, qoftë me zyrën amerikane në Prishtinë, qoftë me strukturat e tjera të qeverisë amerikane. Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë Philip Goldberg, ditë më parë pati deklaruar se ishin fatkeqe deklaratat për përzierjen amerikane në një çështje të brendshme të Kosovës, siç ishin këto ndryshime në qeveri dhe Kuvend.

XS
SM
MD
LG