Ndërlidhjet

logo-print

LDK CAKTON EMRAT E MINISTRAVE PËR QEVERINË ÇEKU


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Lutfi Haziri, do të jetë zëvendëskryeministër në qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga zoti Agim Çeku, ndërsa ministër i brendshëm do të jetë zoti Fatmir Rexhepi, kanë bërë të ditur sot zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu është vëndosur në të vërtetë në mbledhjen e sotme të kryesisë së kësaj partie, që është më e madhja në Kosovë dhe së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, që postin e kryeministrit ia ka besuar gjeneralit Agim Çeku, pas dorëheqjes së zotit Bajram Kosumi nga ky post më 1 mars të këtij viti, udhëheq që nga dhjetori i vitit 2004 qeverinë e Kosovës.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, zoti Eqrem Kryeziu, pas mbledhjes së kryesisë, tha se vendimet për emrat e drejtuesve të ministrive në kabinetin e ri qeveritar janë marrë me konsensus, ndërkohë që ministrat e LDK-së, që kanë qenë në kabinetin Kosumi do të jenë edhe në atë të gjeneral Çekut:
"Ne sot në mbledhjen e kryesisë të LDK-së kemi marrë një vendim unanim që të propozojmë këta njerëz në qeverinë e ardhshme nën mandatin e zotit Agim Çeku: për zëvendësministër dhe në të njëjtën kohë edhe ministër të pushtetit lokal zotin Lufti Haziri dhe për ministër të rendit zotin Fatmir Rexhepi".
Sipas zotit Kryeziu, arsyeja e vetme e largimit të Adem Salihajt është që LDK “ka pasur dëshirë të bëjë ndryshime”, siç u shpreh ai. Kryeziu tha se në grupin politik do të jetë zoti Naim Jerliu, ndërsa në grupin kushtetues, zonja Nekibe Kelmendi.
I shkarkuari i vetëm nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ish-zëvendëskryeministri zoti Adem Salihaj, tha se me largimin e tij janë larguar njerëzit që i kanë sjellë vota partisë, por tha se pajtohej me këtë vendim:
"Kryesia e LDK-së sot me konsenzus, të cilin nuk e kam kundërshtuar, ka kërkuar që ta bëj një sakrificë që të jem "kurban" dhe mos jem në listën e të qeverisë për zëvendëskryeministër, gjë që nuk e kam kundërshtuar. Është një kërkesë që më është drejtuar dhe unë jam përsëri në këtë kryesi dhe do të punoj. Dëshiroj t'ju them se kam patur një nder shumë të madh që isha për këtë kohë zëvendëskryeministër".
Zoti Salihaj tha se do të vazhdojë të mbetet anëtar i kryesisë së LDK-së, ndërkohë që i propozuari për zëvendëskryeministër të ri, zoti Lutfi Haziri, do të vazhdojë të ushtrojë njëkohësisht edhe funksionin e ministrit të pushtetit lokal.
Menjëherë pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, në selinë e kësaj partie ka shkuar mandatari për formimin e qeverisë, zoti Agim Çeku, i cili po zhvillon konsultime me këtë parti, në përpjekje për të kompletuar kabinetin e tij qeveritar me emrat e ministrave të rinj.
Zoti Çeku tha se kishte biseduar me LDK-në, lidhur me emrat e ministrave dhe se ishin marrë vesh që puna e secilit ministër të vlerësohet kohë pas kohe:
"Patëm takim, konsulta me partnerin e koalicionit LDK-në. Ata ma parashtruan propozimin e tyre për përbërjen e kabinetit të ri. Parimisht unë jam pajtuar që të shkohet me përbërjen e qeverisë për të cilën janë dakorduar partnerët e koalicionit. E nënshkruam një deklaratë që do ta vlerësojmë kohë pas kohe punën e çdo ministri. Njëherësh, e mora të drejtën, ashtu siç e ka dhe partia, që bazuar mbi vlerësimin e punës, të mund të bëj dhe ndryshime të ministrave, kur ky nuk i përmbush detyrat dhe përgjesitë e veta."
Tani, zoti Çeku, i cili e ka listën komplete me ministrat nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mbetet të bisedojë me përfaqësues të serbëve për të emëruar dy ministra. Ai sot ka biseduar me zotin Slavisha Petkoviq, i cili në qeverinë Kosumi mbante postin e ministrit për kthim dhe komunitete. Petkoviq ka pranuar që të jetë pjesë e qeverisë Çeku. Ky i fundit ka takuar më parë edhe bartësin e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq për të diskutuar mundësitë e përfshirjes së këtij subjekti më të madh politik të serbëve të Kosovës në qeverinë e re. Zoti Çeku që pritet të emërohet zyrtarisht të premten në një seancë të Kuvendit të Kosovës, në kabinetin e tij do të këtë dy ministra më shumë sesa qeveria pararendëse e zotit Kosumi. Kështu, ministrinë e sapoformuar të brendshme do ta udhëheqë Fatmir Rexhepi nga Lidhja Demokratike, ndërsa ministrinë e drejtësisë, Jonuz Salihaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.



XS
SM
MD
LG