Ndërlidhjet

VAZHDOJNË KUNDËRTHËNIET UNMIK- QEVERI LIDHUR ME MOBIKOS MOBITELIN


Albana Isufi, Prishtinë

Kompania Mobikos –Mobitel thotë se në qershor do të hedhë në treg kartelat e para telefonike, për t’u bërë kështu operatori i dytë i telefonisë mobile ne Kosovë.
Drejtorit të Mobikosit Fatmir Gashit, këtë bindje ia ka shtuar vendimi i fundit i kryeministrit në dorëheqje Bajram Kosumi, që bazuar në rekomandimet e kompanisë KPMG, autorizoi kompaninë Mobikos–Mobitel që të zbatojë projektin për operatorin e dytë të telefonisë mobile.
“Në qoftë se qesin këtu antena MTS i Serbisë dhe nuk reagon askush, nuk ka kurrfarë liçence, pse ne të mos i qesim kur i kemi të gjitha dokumente e parapara me ligj”.
Megjithatë vendimi i kryeministrit në dorëheqje tashmë është hedhur poshtë nga UNMIK-u. Në të vërtetë zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, ka deklaruar se është i pavlefshëm çdo veprim që është marrë rreth telefonisë mobile pas vendimit ekzekutiv të shefit të UNMIK-ut të vitit 2004 për anulimin e tenderit.
“Çdo veprim ose vendim, që është bazuar në tenderin e anuluar të telefonisë mobile, nuk është i vlefshëm dhe nuk ka efekte ligjore”, thotë Neeraj Singh.
Zyrtarët e qeverisë nuk kanë komentuar vendimin e UNMIK-ut, për shkak se, siç kanë thënë, u ka pushuar kontrata në momentin kur kryeministri ka dhënë dorëheqje.
Ndërkohë, drejtori i Mobikosit Fatmir Gashi, shpreson se kabineti i ri qeveritar do të respektojë vendimin e Kosumit.
“Nuk ndodh në praktikën botërore që nëse ndërrohet kryeministri ndërrohen edhe vendimet. Ato nuk kanë ndodhur ende dhe nuk ndodhin askund. Nuk ma merr mendja që pas atij raporti të KPMG-së dikush të hedhë poshtë atë vendim. Dhe e dyta nëse e shikoni konkurrentin kryesor tonin, IPKO-n, pasi kanë marrë këtë raport, edhe ata janë tërhequr dhe e pranojnë raportin dhe nëse ata e pranojnë, atëhere duhet të gjithë faktorët relevantë ta pranojnë atë raport”.
Por, UNMIK-u mbetet këmbëngulës në rishpalljen e një tenderi të ri. Sërish Neeraj Singh.
“Ne kemi kërkuar tender të ri dhe në të vërtetë ne përkrahim dhe e dimë nevojën për një operator të dytë të telefonisë mobile dhe për këtë arsye duhet të shpallet shpejt një tender i ri, i cili duhet të jetë transparent dhe t’i përmbushë të gjitha procedurat e kërkuara,” tha Singh.
Tenderi i ri do të duhej të shpallej nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit, institucion ky që pati shpallur fituese kompaninë kosovaro-sllovene Mobikos-Mobitel para dy vitesh.
Drejtori i ART-së Anton Berisha thotë se e tëra është në duar të qeverisë.
“Vendimi është i qeverisë dhe nënkupton implementimin e rekomandimeve të kompanisë konsulente, verifikimin ligjor dhe të gjithë dokumentacionit dhe i takon qeverisë që të krijojë kushte që ky proces të përfundojë në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe ekonomisë së Kosovës”, tha Berisha.
UNMIK-u ka paralajmëruar se çdo veprim i institucioneve të Kosovës rreth tenderit të anuluar të telefonisë mobile është i pavlefshëm. Por, qeveria, ART dhe kompania Mobikos nuk e kanë përfillur këtë paralajmërim. Mobikos ka fituar rastin kundër qeverisë në Gjykatën komunale të Prishtinës, por një vendim i tillë qe hedhur poshtë nga UNMIK-u. Qeveria ndërkaq, ka autorizuar kompaninë angleze KPMG që të vlerësojë edhe njëherë procedurat tenderuese, për të cilat UNMIK-u thoshte se janë të parregullta.

XS
SM
MD
LG