Ndërlidhjet

MALOKU: INSTITUCIONET E KOSOVËS MUND TË OFROJNË GARANCI SHTESË PËR PAKICAT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në mungesë të kompetencave në fushën e sigurisë, institucionet e Kosovës mund të garantojnë politikisht marrjen e përgjegjësive për garantimin e sigurisë së pakicave, thotë eksperti i çështjeve të sigurisë, njëherit dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, Naim Maloku. Këto komente ai i ka bërë duke iu referuar komenteve të fundit të kryenegociatorit Marti Ahtisari, i cili pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Anan, ka kërkuar që shumica në Kosovë të garantojë jetë të sigurtë për pakicat, para se të mund të kalohet në fazën e zgjidhjes së statusit të Kosovës.
"Ne mund të garantojmë politikisht se do të marrin përgjegjësinë institucionet e Kosovës, jo vetëm për pakicat, por për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mund të nënshkruhen edhe me dokumente përkatëse, pra të jepen me anë të nënshkrimit të ekipit negociator qëndror që ka dhe mandatin në Kuvendin e Kosovës. Mund të garantojmë edhe me kushtetutë të gjitha ligjet, që do të hyjnë në fuqi në Kosovë dhe normalisht të pranojmë mbikqyrje të bashkësisë ekonomike evropiane në zbatimin e atyre ligjeve dhe në zbatimin e kushtetutës", tha Naim Maloku.
Sipas tij bartja e kompetencave në fushën e sigurisë, që pritet të ndodhë në një afat prej 3-4 muajve pas kompletimit të qeverisë së re, do të jetë një faktor ndihmë për institucionet e Kosovës, që garancat politike dhe ligjet që rregullojnë këtë fushë, t'i zbatojnë në praktikë. Ai beson se edhe tek serbët e Kosovës tashmë ka një qëndrim tjetër përsa u përket pjesëmarrjes së tyre në institucione dhe kjo, thotë Maloku, do të ndihmonte shumë në ndryshimin e gjendjes në terren.
"Në seancën e ardhshme të radhës, kur do të votohet qeveria e Kosovës, ne do të kemi të votuar edhe ministrin e punëve të brendshme. Ministria e punëve të brendshme do të ketë dy zëvendësministra, njëri prej tyre është serb. Kështu që në ndërtimin e të gjitha mekanizmave të sigurisë, edhe serbët do të marrin pjesë në nivelet më të larta të udhëheqjes dhe normalisht do të jenë pjesë edhe e përgjegjësisë për siguri, por pjesë edhe e zhvillimeve politike në Kosovë."
Ndërkohë Goran Bogdanoviq, një përfaqësues i serbëve të Kosovës dhe anëtar i grupit negociues të Beogradit për statusin e Kosovës, thotë se Ahtisari ka nxjerrë konkluzione të sakta, pasi sipas tij serbët në Kosovë janë të diskriminuar dhe qytetarë të rendit të dytë.
Ne në vazhdimësi ndihemi të rrezikuar, të pasigurt dhe ende konsiderohemi si qytetarë të rendit të dytë, thotë Bogdanoviq. Për një pozitë të tillë të serbëve, sipas tij, ka dhe shumë argumente dhe e ka vlerësuar si shumë pozitive që Ahtisari e ka ndërlidhur përparimin në procesin e statusit me çështjen e përmirësimit të komuniteteve në Kosovë.
Marti Ahtisari ka kërkuar nga shumica në Kosovë dhe institucionet që të ndërmarrin hapa konkrete në çështjet që kanë të bëjnë me pakicat, posaçërisht me pakicën serbe, sidomos në fushën e sigurisë dhe në mbrojtjen e tyre. Përparimet në këto çështje ai i ka ndërlidhur edhe me përparimet në vetë procesin e zgjidhjes së statusit dhe në realizimin e ambicjeve të shumicës për një Kosovë të pavarur.

XS
SM
MD
LG