Ndërlidhjet

RAPORTI I DEPARTAMENTIT TË SHTETIT PËR TË DREJTAT E NJERIUT


ANDREW F. TULLY

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se 15 vjet pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik, të drejtat e njeriut përmirësohen në shumë vende pas-komuniste, por problemet ende mbeten te vendet tjera, përkundër përpjekjeve të fuqishme të Perëndimit për përhapjen e demokracisë.
Raporti thotë se është arritur përmirësim në vendet e Ballkanit, ku pas një dekade konfliktesh, disa të dyshuar për krime të luftës janë dënuar ose presin gjykimin, por dy më të kërkuarit, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, ende janë të lirë.
Në pjesën e raportit për Kosovën theksohet se UNMIK-u dhe institucionet, në përgjithësi i kanë respektuar të drejtat e njeriut, megjithëse ka pasur edhe probleme serioze në disa fusha, sidomos në ato që kanë të bëjnë me minoritetet. Më tej radhiten disa nga problemet që ndërlidhen me të drejtat e njeriut, si vrasjet me motive politike dhe etnike, korrupsioni dhe ndërhyrja qeveritare në sistemin e drejtësisë, pastaj sulmet dhe keqtrajtimet ndaj gazetarëve. Po ashtu theksohen edhe kufizimet e lëvizjes për minoritetet, veçanërisht për serbët, si dhe mungesa e progresit në kthimin e personave të zhvendosur.
Në pjesën për Shqipërinë, thuhet se zgjedhjet parlamentare të korrikut nuk i kanë përmbushur plotësisht standardet ndërkombëtare, por megjithatë, janë një hap përpara në zhvillimin demokratik. Qeveria përgjithësisht i ka respektuar të drejtat e njeriut, por ka pasur edhe probleme serioze, thuhet në raport, duke veçuar rrahjen e të burgosurve nga policia, arrestimin arbitrar, kushtet e rënda nëpër burgje, politizimin e mediave, punën e fëmijëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore.
Pothuaj të njëjtat thuhen edhe për Maqedoninë. Objekt i kritikave në këtë vend janë abuzimi i policisë me të dyshuarit sidomos gjatë fazës së arrestimit dhe paraburgimit, ngacmimi policor i pakicave, sidomos romëve, korrupsioni i policisë, presioni politik ndaj gjyqësisë, diskriminimi i grave dhe fëmijëve, si dhe trafikimi i femrave për prostitucion.
Sidoqoftë, Departamenti i Shtetit vlerëson se në disa shtete ish-komuniste dhe në Iran mbeten probleme serioze për sa u përket të drejtave të njeriut, ndërsa në disa shtete tjera janë shënuar përmirësime. Sekretarja e Shtetit, Condoleezza Rice, tha se qëllimi i raportit nuk është gjykimi i ndonjë vendi.
"Shpresojmë se raportet do t'i nxisin qeveritë, organizatat, mediat dhe opinionin publik, që t'i adresojnë problemet e të drejtave të njeriut. Shpresojmë këto raporte të jenë burim i informacionit dhe frymëzimit për njerëzit fisnikë, që punojnë për ndryshime paqësore dhe demokratike në botë", tha zonja Rice.
Në raport thuhet se ndër vendet më problematike janë Bellorusia, Uzbekistani dhe Rusia, kryesisht shkkau i përqëndrimit më të madh të pushtetit në qeverinë qendrore. Irani ndërkaq akuzohet se u ka dhënë shumë pushtet udhëheqësve fetarë. Sipas raportit, Presidenti i Bellorusisë, Aleksandës Lukashenka, në vitin 2005 ka vendosur "regjim diktatorial", kurse presidenti Vladimir Putin e ka përqëndruar pushtetin në kryeqytet. Shkelje të shumta të të drejtave të njeriut janë regjistruar edhe në Çeçeni e Uzbekistan. Kurse sa i përket Iranit, ai akuzohet sërish edhe për mbështetjen e organizatave terroriste.
Departamenti i Shtetit thotë se theksimi i këtyre problemeve nuk do të thotë ndërhyrje në çështjet e brendshme të vendeve përkatëse. Beri Launkron, ndihmës sekretar për demokraci dhe të drejta të njeriut, tha se grumbullimi i të dhënave është i rëndësishëm për marrëdhëniet ndërkombëtare.
"Shtetet që bëjnë shkelje sistematike dhe të rënda të të drejtave të njeriut, paraqesin kërcënim për vendet fqinje, por dhe për komunitetin ndërkombëtar. Irani është një rast i tillë", tha Launkron.
Në pjesën pozitive të raportit, Ukraina vlerësohet për të arriturat pas Revolucionit të Portokalltë. Raporti vlerëson edhe progresin në Kirgizi, megjithëse thuhet se atje vazhdon të ketë probleme. Për Irakun dhe Afganistanin, raporti thotë se ato përpiqen të vendosin institucione demokratike, por këto përpjekje po pengohen nga kryengritësit.
Me vendim të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Departamenti i Shtetit publikon raporte për të drejtat e njeriut që nga viti 1977.



XS
SM
MD
LG