Ndërlidhjet

logo-print

ÇEKU: SERBËT TË MARRIN PËRGJEGJËSITË QË U TAKOJNË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësuesit e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë i thanë mandatorit për formimin e qeverisë së Kosovë, zotit Agim Çeku se tash për tash nuk e kanë ndërmend të hyjnë në institucionet e Kosovës, pra as të shfrytëzojnë një post ministror që u është rezervuar. Ata përsëritën qëndrimin se pjesëmarrja e tyre në institucione varet nga hapat konkretë që ndërmarrin autoritetet e Kosovë me qëllim të përmirësimit të jetës kushteve të jetës për bashkësinë serbe.
Mandatari për formimin e qeverisë së re, Agim Çeku deklaroi se me liderët e serbëve ka biseduar për mundësinë e hyrjes së tyre në kuvend dhe në qeveri dhe për integrimin e serbëve në shoqërinë e Kosovës. Ai tha se u kishte bërë thirrje përfaqësuesve serbë që të marrin përgjegjësitë që u takojnë:
"Kam vërejtur një gatishmëri që të bisedohet për mënyrën e integrimit të tyre. Nuk kemi arritur ndonjë përfundim konkret, pos që bisedimet duhet të vazhdojnë. Dyert janë të hapura dhe shpresoj se do ta kompletojnë ekipin edhe me serbët".
Ndërkaq, bartësi i Listës Oliver Ivanoviq thotë se edhe pse serbët e kanë vendin në institucione, ata tash për tash do të mbeten jashtë tyre:
"S’ka dilemë; brenda listës nuk ka dilemë nëse serbët duhet të jenë pjesë e institucioneve. Që nga fillimi keni besuar se vendi ynë është në institucione, pasi vetëm përmes tyre mund ta mbrojmë bashkësinë serbe," tha Ivanoviq, për të shtuar se megjithatë kthimi në institucione nuk do të ndodh nesër, pasi afati është tepër i shkurtër për të marrë një vendim kaq të vështirë
Megjithatë, edhe Çeku edhe Ivanoviq, takimin e kanë vlerësuar konstruktiv. Sipas zotit Ivanoviq, serbëve u nevojiten institucione më cilësore dhe tha se do ta vëzhgojë me kujdes punën e qeverisë së zotit Çeku:
"Këto institucione janë shumë të rëndësishme dhe neve nuk na duhen çfarëdo institucionesh, nuk na duhen çfarëdo serbë, por na duhen më të mirët dhe ata që i përfaqësojnë realisht interesat e bashkësisë serbe," tha Ivanoviq.
Gjeneral Çeku tha ndërkaq se serbëve ua kishte bërë të ditur se çka mund t’u ofrojë qeveria e Kosovës në mënyrë që të integrohen në shoqërinë kosovare:
"Unë insistoj që ata të marrin përgjegjësitë që u takojnë në shoqëri, në kuvend dhe në qeveri që t’i udhëheqin qytetarët e tyre që të integrohen dhe të jetojnë më lirshëm",tha gjeneral Çeku, sipas të cilit për qeverinë e Kosovës është i rëndësishëm secili qytetar, pa dallim, e posaçërisht pjesëtarët e bashkësisë serbe.
Sipas zotit Ivanoviq, serbët nuk e kanë mbyllur derën për kthim në institucione. Kryeministri është nisur me një agjendë konkrete dhe ne do të shikojmë se si do të zhvillohen gjërat, e nëse do të kemi rastin të marrim pjesë në qeveri, atëherë këtë do ta bëjmë me kandidatin më të mirë, tha Ivanoviq, duke e çmuar lart faktin se gjeneral Çeku është kryeministri i parë që u është drejtuar serbëve me ofertë të tillë. Ndërkohë, Slavisha Petkoviq pas një takimi me gjeneral Çekun, dje ka konfirmuar për radion "Evropa e Lirë", se ai do të vazhdojë të jetë ministër për kthim dhe komunitete edhe në këtë përbërje të qeverisë.


XS
SM
MD
LG