Ndërlidhjet

PRISHTINA DHE BEOGRADI DISKUTOJNË ÇËSHTJEN E TË ZHDUKURVE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të kuq, si ndërmjetësues në bisedimet ndërmjet delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi në grupin punues për personat e pagjetur, ka kërkuar nga të dyja delegacionet që të shtojnë përpjekjet e tyre për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur. Kështu ka thënë sot Fransua Shtam, përfaqësues i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, pas takimit të grupit punues për personat e pagjetur, i cili u mbajt në Prishtinë. Sipas tij gjatë këtij takimi janë raportuar informacione lidhur me varrezat e mundshme të reja.
“Kemi pasur megjithatë disa informata premtuese të shkëmbyera për varreza të mundshme dhe e shohim periudhën e ardhshme si shumë thelbësore. Tash për shkak të kohës së keqe nuk mund të bëhët eks’humimi, por kjo do bëhet në javët e ardhshme”, tha zoti Shtam, duke shtuar se deri në takimin e ardhshëm të grupit punues për personat e pagjetu, do të ketë rezultate konkrete rreth këtyre varrezave të mundshme. Ndërsa, Ragip Zekolli, drejtues i delegacionit nga Prishtina në këtë grup punues, ka thënë se në këtë takim është biseduar për çështje konkrete.
“Kësaj here ka çështje shumë më konkrete dhe vetëm presim përmirësimin e kohës, për arsye se të dhënat që kanë ofruar Prishtina dhe Beogradi janë të dhëna që përpunohen mjaft mirë”.
Ndërkaq, drejtuesi i delegacionit nga Beogradi, Veljko Odalloviq, theksoi se te dyja delegacionet janë pajtuar për shkëmbim të informacioneve lidhur me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
“Ajo për të cilën jemi pajtuar si grup punues është që çfarëdo informate për varreza masive apo individuale t'i shkëmbejmë në mes veti dhe me organet kompetente të verifikojmë të dhënat dhe këto të dhëna t’ia ofrojmë opinionit”, tha zoti Odalloviq.
Sidoqoftë, takimi i ardhshëm i grupit punues për personat e pagjetur pritet të mbahet me 31 maj në Beograd.



XS
SM
MD
LG