Ndërlidhjet

XHIANG: PËRCAKTIMI I STATUSIT BRENDA 2006 VARET NGA ANGAZHIMI I PALËVE


Hua Xhiang, zëdhënëse e kryenegociatorit Ahtisari

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë takimesh ka zhvilluar zoti Ahtisari gjatë kësaj vizite në Uashington, përfshi këtu zyrtarët amerikanë dhe të tjerë?

HUA XHIANG
Gjatë dy ditëve të fundit është takuar me zyrtarë amerikanë, përfshi zotin Burns dhe ekipin e tij si dhe me dy anëtarë të kongresit, kongresistin Tom Lantosh dhe senatorin Vojinoviç.
Përveç këtyre takimeve është takuar me zyrtarët e institucioneve financiare ndërkombëtare të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Njëherësh është dhe takimi me këshilltarin e presidentit Bush për siguri kombëtare, Stiven Hardli.

RADIO EVROPA E LIRË
Në takimet në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar cilat kanë qenë kërkesat konkrete të zotit Ahtisari dhe çfarë përgjigje mori për to?

HUA XHIANG
Këto takime janë pjesë e diskutimeve në vazhdimësi me institucionet në fjalë dhe nuk është hera e parë. Diskutuam çështjet që lidhen me zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.
Gjatë gjithë këtyre takimeve morëm garancitë e plota se do të kemi mbështetjen e plotë nga këto institucione dhe premtimet për bashkëpunim të plotë. Jemi shumë të kënaqur më këto takime.

RADIO EVROPA E LIRË
Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se në takimin Burns-Ahtisari, zoti Burns ka përsëritur qëndrimin që të gjendet zgjidhje për statusin brenda vitit 2006. Sipas zotit Ahtisari, në planin praktik, sa e mundshme do jetë kjo?

HUA XHIANG
Zoti Ahtisari e ka bërë të qartë që nga fillimi se ai do t'i qëndrojë pozicionit që kjo çështje të zgjidhet brenda 2006. Këtë e ka përsëritur dhe Grupi i Kontaktit në deklaratën e Londrës në 31 janar, se afati kohor për zgjidhjen e çështjes së statusit është brenda vitit 2006, çfarë ofron dhe kornizën e punës së zotit Ahtisari. Ai e ka përsëritur dhe faktin se kontrata e tij me OKB-në përfundon këtë vit dhe ai nuk synon ta zgjasë atë. Ndaj ne po punojmë që procesi të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Por është e qartë se afatet kohore nuk varen nga ne, por para së gjithash nga situata në terren. Në këtë kuptim shpresojmë se shqiptarët e Kosovës që përbëjnë shumicën, do t'i zgjasin dorën pakicave dhe të përpiqen maksimalisht të përmirësojnë situatën në terren. Këtu përfshihet përmirësimi i gjendjes së sigurisë dhe e dimë se nuk do të ndodhë që palët t'i thonë njëri-tjetrit deri në fund të vitit se e duan njëri-tjetrin, por të paktën deri atëherë shpresojmë do kemi mekanizmat në terren, që do garantojnë se pakicat serbe dhe të tjera do të jetojnë në paqe dhe në një mjedis të sigurt pas vendosjes së statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas afatave të caktuara nga zoti Ahtisari, ndonëse siç e thatë jo gjithçka varet prej tij, kur do fillojnë bisedimet që lidhen me statusin, kur dihet se fillimisht po diskutohen çështje që nuk lidhen drejtpërdrejtë me statusin?

HUA XHIANG
Ajo çfarë po bëjmë tani është se filluam me çështje praktike apo çështje neutrale sa i përket statusit, siç janë decentralizimi, mbrojtja e trashëgimisë historike, fetare e kulturore, të drejtat e pakicave dhe çështjet ekonomike. Ndërkaq në fund të prillit dhe në fillim të majit pas bisedimeve për çështjet praktike, do shohim se si ka ecuar gjendja dhe në cilin drejtim janë zhvilluar ngjarjet. Këto çështje praktike duhen zgjidhur me apo pa statusin.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet se ecuria e procesit varet dhe nga palët. Duket se qeveria e re e Kosovës e drejtuar nga zoti Çeku ka marrë udhë. Si vlerësohen këto zhvillime nga zoti Ahtisari dhe bashkëbiseduesit e tij në Uashington?

HUA XHIANG
Ndryshimi i qeverisë nuk do ketë ndikim negativ në procesin e bisedimeve. Këtë e ka përsëritur zoti Ahtisari. Dhe nëse do ketë ndikim, ai shpreson që ndikimi do jetë pozitiv.Nga ana tjetër ne nuk kemi shumë kohë dhe duhet ta përshpejtojmë gjithë procesin.
Këto mesazhe i janë dërguar mandatarit për kryeministër dhe ekipit të tij dhe besojmë se këto mesazhe janë kuptuar. Shpresojmë që me krijimin e qeverisë së re ne do veprojmë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Intervistoi Iliriana A. Bajo
XS
SM
MD
LG