Ndërlidhjet

AUTORITETET E NDALOJNË IMPORTIN E PRODHIMEVE USHQIMORE NGA SHQIPËRIA


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Rrugët tokësore janë të mbrojtura nga përhapja e gripit të shpendëve nga Shqipëria në Kosovë, por Kosova nuk ka mundësi dhe kapacitete për t'i mbrojtur rrugët ajrore. Zyrtarët e ministrisë së bujqësisë, në një takim me gazetarët kanë thënë se paraqitja e gripit të shpendëve në Shqipëri, ka bërë që të ndalohet importi i produkteve ushqimore nga Shqipëria.
Çaush Kabashi, drejtor i Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, ka thënë se prej tetorit të vitit të kaluar e deri tani, kjo agjenci ka marrë 331 mostra të shpendëve, që kanë rezultuar negativë, duke përmendur këtu edhe dy pulat e ngordhura në fshatin Dubovc të Vushtrisë.
"Që nga data 24 shkurt dhe deri më 9 mars, kemi marrë 27 thirrje telefonike në zyrën tonë për veprime emergjente. Të gjitha thirrjeve u jemi përgjigjur dhe në këtë rast janë marrë 71 mostra, të cilat janë procesuar në laboratorin tonë në dy metodat. Në të dyja këto metora mostrat e prekura me lart kanë rezultuar negativë nga sëmundja Avian H5 të gripit A."
Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në bashkëpunim me zyrën e kryeministrit, në tetor të vitit të kaluar ka formuar një sistem për parandalimin e gripit të shpendëve, ka thënë Uilliam Gardner nga departamenti civil në këtë administratë.
Për të mundësuar një efikasitet të këtij sistemi, zoti Gardner, tha se është e nevojshme që raportimi i rasteve të dyshuara të jetë shumë i shpejtë dhe efektiv.
"Me rëndësi është që ky sistem të funksionojë gjatë gjithë kohës. Nëse njëra nga këto mostra rezulton pozitive, atëhere ekziston grupi sekondar i këtij sistemi, në të cilin bëjnë pjesë policia lokale, qëndrore dhe organe të tjera.
Ky grup duhet të ndalojë hyrjet dhe daljet nga vendet ku është përhapur sëmundja dhe të bëjnë asgjesimin e shpendëve. Fermerët komercialë, familjet që jetojnë në viset rurale, për çdo rast të ngordhjes së kafshëve të tyre, gjithsesi duhet të lajmërojnë organet kompetente. Askush nuk duhet të ndërmarrë iniciativë të asgjesojë shpendët e ngordhura," tha zoti Gardner, për të shtuar se as administrata komunale nuk e ka këtë të drejtë. Sidoqoftë, zyrtarët e institutit të shëndetësisë publike në Kosovë, tashmë kanë pohuar se do të jetë iluzore të mendohet se Kosova mund të shpëtojë pa u prekur nga virusi H5N1, në kohën kur tashmë pothuajse të gjitha vendet fqinje tashmë janë duke u përballur me këtë virus.

XS
SM
MD
LG