Ndërlidhjet

ZYRTARËT NDËRKOMBËTARË PËRGËZOJNË KRYEMINISTRIN AGIM ÇEKU


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Drejtues të UNMIK-ut, OSBE-së dhe zyrës amerikane në Prishtinë, e kanë mirëpritur zgjedhjen e Agim Çekut kryeministër i ri i Kosovës dhe fjalimin që ai ka mbajtur para deputetëve pas zgjedhjes në postin e ri, duke shfaqur bindjen se aftësinë udhëheqëse që e ka demonstruar në Trupat e Mbrojtjesë së Kosovës do ta demonstrojë edhe në postin e ri. “E mirëprita zgjedhjen e zotit Agim Çeku dhe të kabinetit të tij qeveritar dhe është njëkohësisht një shenjë e mirë që në kabinetin e ri qeveritar janë edhe ministri i drejtësisë dhe ai i rendit”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen. Ai e ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës dhe të gjitha partitë politike që edhe një herë kanë dëshmuar vlerat demokratike në rrethana sfidash. Zoti Jessen Petersen ka thënë në deklaratën e tij se zoti Çeku, si komandant i TMK-së është dëshmuar si partner për UNMIK-un dhe për bashkësinë ndërkombëtare, e cila e ka njohur përkushtimin e tij për përmbushjen e standardeve dhe për rritjen e përfaqësimit të pakicave në TMK. Jam i bindur se përkushtimin dhe profesionalizimin e treguar deri më tash, kryeministri Çeku do ta përkthejë në nisma konkrete qeveritare, thuhet ndër të tjera në deklaratën e shefit të UNMIK-ut Jessen Petersen, ndërkohë që shefi i zyrës amerikane në Prishtinë Philip Goldberg, pasi ua ka uruar postet e reja kryetarit të Kuvendit Kolë Berisha dhe kryeministrit Agim Çeku tha:
"SHBA-të mezi presin të bashkëpunojnë me të dy figurat që udhëheqin institucionet e rëndësishme të Kosovës. Populli i Kosovës gjithmonë mund të llogarisë në ndihmën tonë, ashtu si edhe institucionet e Kosovës," tha Philip Goldberg, për të shtuar se kryeministri ka mbajtur një fjalim të mirë, duke iu afruar edhe komunitetit serb dhe duke u përpjekur që të nxjerrë një agjendë që do t’i ndihmojë demokracisë dhe zhvillimit ekonomik:
"Këto janë gjëra që i duhen aq shumë Kosovë në kohën kur po shkohet drejt përcaktimit të statusit përfundimtar, prandaj ky është moment i rëndësishëm për popullin e Kosovës," tha shefi i zyrës amerikane Philip Goldberg.
Letër urimi për zgjedhjen në postin e ri, kryeministrit të Kosovës Agim Çeku i ka dërguar edhe shefi i OSBE-së në Kosovë, Werner Wnendt. Është inkurajuese kur sheh si bëhen ndryshime të kompetencave në pozita kyçe në mënyrë të qetë dhe bëhen të mundshme nga uniteti i lavdërueshëm në mes të partive politike me qëllim të ruajtjes së stabilitetit, ka thënë zoti Wnendt, duke vlerësuar se kjo është veçanërisht e rëndësishme duke marrë parasysh që negociatat për statusin e ardhshëm aktualisht janë duke u zhvilluar.
Ndërkohë, kryetari i partisë Ora, Veton Surroi tha:
"U zgjodh qeveria e tretë për 15 muaj. Në mos asgjë tjetër, kemi treguar aftësi për të zgjedhur qeveri. Ishalla një zgjedhje e këtillë, një përkrahje e tillë do të përkthehet edhe në qeverisje më të mirë. Ne si opozitë, si gjithmonë do të jemi konstruktivë, do të kritikojmë jo pse është ky pushtet, por për shkak të veprimeve të veta,"tha zoti Surroi, ndërkohë që bartësi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq tha se kjo ishte një zgjedhje e pritur e kryeministrit dhe u shpreh i inkurajuar nga fjalimi i zotit Çeku:
"E di që kjo deklaratë e tij në gjuhën serbe mund të jetë një shenjë e re, një shenjë e ndryshimit të sjelljeve," tha Ivanoviq, duke shtuar se gjatë takimeve me kryeministrin e sapozgjedhur Agim Çeku, i kishin thënë atij se është mirë që dikush që është në vende aq të rëndësishme të nis të aplikojë ato për të cilat deklarohet në deklaratat verbale. Ivanoviq tha se mund të pritet më shumë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare se çka do të bëjë qeveria dhe kryeministri i ri.

XS
SM
MD
LG