Ndërlidhjet

logo-print

AGIM ÇEKU U ZGJODH KRYEMINISTËR I RI I KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Me 65 vota për, 33 kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot kryeministrin dhe qeverinë e re. Kryeministri i ri Agim Çeku është zotuar para kuvendit se qeveria e tij do ta drejtojë Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë, integrimeve dhe zhvillimit ekonomik. Çeku ka premtuar një qeverisje që do t’i trajtojë njësoj të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësive të tyre etnike apo fetare. Ai ka garantuar se qeveria e tij do të jetë funksionale dhe e përgjegjshme para qytetarëve të Kosovës:
“Sot mora mandatin për të udhëhequr qeverinë, ndoshta në kohën më të vështirë dhe më vendimtare dhe për këtë jam i gatshëm. Në këto momente, kyçe për Kosovën dhe popullin e saj, besimi i juaj do të jetë pikëmbështetje e punës sime në udhëheqjen e qeverisë së Kosovës. Me marrjen e kësaj përgjegjësie, ne ju themi juve dhe qytetarëve të Kosovës që qeverisja jonë do të jetë e bazuar në mirëqenien e qytetarit të Kosovës, pavarësisht dallimeve etnike, fetare apo politike”, tha Çeku.
Në vazhdim, Çeku përmes foltores së Kuvendit iu drejtua komunitetit serb në gjuhën serbe, duke i premtuar dhe garantuar këtij komuniteti, perspektivë të jetës në Kosovë. "Koha e urrejtjes, diskriminimit dhe vuajtjeve duhet t’i takojë së kaluarës, tani ka ardhur koha e pajtimit ndëretnik dhe prosperitetit për të gjithë. Nuk ka liri në Kosovë, përderisa të gjithë nuk e gëzojnë këtë liri," tha Çeku, duke shtuar se çelësi i zgjidhjes së statusit të Kosovës sipas ambicieve të shumicës, duhet të kalojë përmes krijimit të mirëqenies për pakicat, tha ai. Ndërsa komunitetit ndërkombëtar, Çeku i është drejtuar në gjuhën angleze, duke premtuar bashkëpunim të ngushtë me miqtë e Kosovës në angazhimet për zgjidhjen e statusit, përmes procesit që udhëhiqet nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. Procesi i bisedimeve, tha Çeku, do të përfundojë me pavarësinë e Kosovës, shtet ky që do të jetë vend i barabartë për të gjithë qytetarët e saj, e po ashtu edhe vend që do të vazhdojë bashkëpunimin dhe integrimin evropian:
“Kosova nga një vend konsumues i sigurisë, duhet të shndërrohet në një vend që prodhon dhe reflekton siguri. Koncepti ynë i sigurisë do të bazohet në bashkëpunim me NATO-n dhe me fqinjët. Ne do të përpiqemi për ta bërë Kosovën kontribuesin më të madh të paqes dhe sigurisë në rajon”, theksoi Çeku.
Duke marrë mbështetjen e partive në koalicion, LDK-së, AAK-së dhe partive nga radhët e komuniteteve jo serbe, Çeku nuk ka siguruar dhe mbështetjen e opozitës, përkatësisht të PDK-së dhe partisë Ora. Lideri i partisë më të madhe opozitare, Hashim Thaçi e ka quajtur kabinetin qeveritar që do të drejtojë Çeku si një qeveri të dështuar, inkriminuar dhe të korruptuar. Kurse mandatarin Çeku si një mandatar të kontrabanduar në postin e kryeministrit nga prapaskena politike:
“Imponueshëm nga para-politika është larguar i pari i qeverisë. Vullnetshëm me një trafikim politik kemi ardhjen e një kandidati tjetër. I pari i qeverisë ka qenë e keqja më e vogël e qeverisë aktuale, e keqja e madhe ka mbetur këtu, udhëheqës i të cilës në muajt e ardhshëm, vullnetshëm do të jetë mandatari i para-politikës, i prapaskenës së politikës kosovare”, pohoi Thaçi.
Kryeministri i zgjedhur, Agim Çeku, para se t’i nënshtrohej votimit, gjatë ditës ka dhënë dorëheqjen nga posti i komandantit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Kurse seanca e sotme plenare ka rezultuar dhe me ndryshime në kreun e legjislativit, pasi që grupi më i madh parlamentar, ai i LDK-së mori përkrahjen e Kuvendit për zëvendësimin e Nexhat Dacit me kryetarin e ri të Kuvendit, Kolë Berisha.



XS
SM
MD
LG