Ndërlidhjet

logo-print

PRAGË


Franca tha se ish presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq, ishte kryearkitekt i luftërave ballkanike dhe i spastrimeve etnike që lanë dhjetëra mijë të vrarë.
"Me vdekjen e Millosheviqit, u largua nga skena njëri nga aktorët kryesorë të luftërave ballkanike", tha ministri i Jashtëm Philippe Doust Blazy.
"Shumë shpresoj se vdekja e Milosheviqit do t'i ndihmojë Serbisë që të shohë drejt të ardhmes", tha shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian Javier Solana.
Ish presidenti jugosllav u quajt "kasapi i Ballkanit" dhe ishte mishërim i çmendurisë nacionaliste të periudhës pas Luftës së Ftohtë, njoftoi France Presse.
Agjencia e përkujton senatorin amerikan Joseph Biden, i cili Millosheviqin e ka quajtur "një nga udhëheqësit më të rrezikshëm dhe maniakë të Evropës prej kohës së Hitlerit".
"Më vjen keq të komentoj vdekjen e Millosheviqit, sepse ai disa herë ka urdhëruar vrasjen e anëtarëve të partisë sime dhe të partive tjera në Serbi", tha ministri i jashtëm serbomalazez. "Ai disa herë urdhëroi edhe vrasjen time", tha Vuk Drashkoviq.
"Është turp që ai nuk jetoi deri në fund të gjykimit, që t'i jepej dënimi i merituar", transmetohet të ketë thënë presidenti i Kroacisë Stipe Mesiq.
Udhëheqësi mysliman i Bosnjës Sulejman Tihiq tha se dëshironte që Millosheviqi të jetonte mjaft gjatë sa për t'u përballur me dënimin e Tribunalit të Hagës.
"Për hir të viktimave, të vërtetës dhe drejtësisë, do të ishte më mirë që ai të jetonte deri në fund të gjykimit", tha Tihiq.
Në Beograd, Partia Socialiste tha se vdekja e Millosheviqit ishte "humbje e madhe" për Serbinë.
"Është e rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë se me mbrojtjen e tij dhe faktin që nuk u dënua, Millosheviqi ia doli t'i mbrojë interesat kombëtare dhe shtetërore", tha kreu i partisë, Ivica Daçiq.
XS
SM
MD
LG