Ndërlidhjet

SEJDIU: PAVARËSIA DO KETË PARASYSH NJË STATUS PËR GJITHË QYTETARËT E KOSOVËS


Intervistë me z. Fatmir Sejdiu, president i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni takimin e Salzburgut?

FATMIR SEJDIU
Mendoj se është një takim i rëndësishëm ku u shtruan aspekte të shumta të problemeve të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht u shtrua dhe çështja e Kosovës.
Qasja e përgjithshme ishte e tillë që kërkon urgjencën e përshpejtimit të procesit për definimin e statusit dhe natyrisht është ajo që e ne kemi kërkuar vazhdimisht që statusi të jetë në përputhje me vullnetin e popullit. Sigurisht edhe sot përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Soren Jesen Petersen, i ka vlerësuar shumë lart të gjitha proceset në Kosovë dhe ka kërkuar që procesi i statusit të shkojë shpejt. Natyrisht ishte impresive ajo që u tha në një fazë më të hershme të takimit, qëndrimi i ministrit të jashtëm të Britanisë së Madhe zotit Jack Strou.

RADIO EVROPA E LIRË
Por sot disa ministra të tjerë kanë reaguar ndaj deklaratës së zotit Strou duke thënë se duhet patur kujdes se nuk mund të arrihet pavarësia nëse nuk zgjidhet statusi i mbrojtjes së serbëve në Kosovë?

FATMIR SEJDIU
Ne mendojmë që pavarësia do të jetë pavarësi që do ketë parasysh një status të gjithë qytetarëve të Kosovës, pra një garancion i plotë. Pala kosovare tashmë i ka ofruar këto garancione dhe në hap e sipër ne do t'i zhvillojmë këto procese që kanë filluar me procesin e Vjenës. Do të jetë një kontribut i veçantë që ky proces të shkojë shpejt dhe me kualitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Është miratuar qeveria e re e Kosovës, me kritika nga opozita për përbërjen e qeverisë në një kohë kur dhe BE-ja thotë se statusi do të varet nga përmbushja e kushteve në terren. A mendoni që do të ruhet ajo që kërkon bashkësia ndërkombëtare, pra uniteti i grupit negociues.

FATMIR SEJDIU
Une mendoj se këto procese janë procese demokratike, duke pasur parasysh se si pozita dhe opozita kanë për borxh t'i çojnë proceset përpara. Natyrisht çështja e standardeve është një nga detyrat e rëndësishme që ka filluar jo tash, por dhe në periudhat e mëtejshme dhe ne realisht dëshirojmë ta dinamizojmë këtë proces. Dhe Grupi negociator e ka për borxh të lëvizë edhe më shpejt.

RADIO EVROPA E LIRË
A do ndikojnë krijimi i qeverisë së re në ndryshime në grupin negociues?

FATMIR SEJDIU
Është çështje sipas funksioneve që vijnë njerëzit, nuk ka problem tjetër, që do të thotë se ai që do jetë në krye të qeverisë do jetë dhe anëtar i grupit negociator.

RADIO EVROPA E LIRË
Domethënë nuk do ketë ndryshime të tjera?

FATMIR SEJDIU
Nuk besoj. Grupet teknike janë grupe të tjera që do të veprojnë me potencialet e plota të ekspertëve. Ne do të vazhdojmë me këtë aktivitet që kemi filluar dhe besojmë se ka kualitetet e plota.
XS
SM
MD
LG