Ndërlidhjet

UDHËHEQËSIT BOTËRORË KUJTOJNË VIKTIMAT E MILLOSHEVIÇIT NË DITËN E VDEKJES SË TIJ


Vdekja e Sllobodan Millosheviçit u pasua me reagime nga udhëheqës botërorë. Ministri i jashtëm francez, Filip Dust-Blazi ishte ndër të parët që reagoi duke theksuar se kjo ditë shërben për të kujtuar viktimat e Millosheviçit.
"Dua që t'i ndajë mendimet për të gjithë ata që vuajtën aq shumë nga pastrimi etnik, dhjetëra mijëra burrat, gratë dhe fëmijët të cilat ishin viktima të planeve të hartuara e zbatuara nga Millosheviçi", tha ministri i jashtëm francez.
Në të njëjtën frymë ishin dhe reagimet e drejtuesve të tjerë. Ursula Plashnik, shefja e diplomacisë austriake tha se vdekja e Millosheviçit nuk ndryshon asgjë për tragjeditë e së shkuarës apo mundësitë akutale të Ballkanit.
"Politikisht për rajonin dhe në veçanti për Beogradin kjo nuk ndryshon asgjë lidhur me nevojën që t'i jepet fund trashëgimisë të së kaluarës, pjesë e së cilës ka qenë dhe Sllobodan Millosheviçi.", tha Plashnik.
Shumica e njerëzve në Ballkan sot me keqardhje e përjetojnë vdekjen e Millosheviçit pasi gjykimi i tij nuk përfundoi kurrë dhe dënimi nuk u shqiptua.
Edhe ministri i jashtëm serbo-malazez, Vuk Drashkoviç, shprehu keqardhjen që Millosheviçi nuk u dënua, por për krimet e kryera ndaj serbëve.
"Sllobodan Millosheviçi organizoi disa atentate kundër meje. Çfarë mund të them? Është për të ardhur keq që ai nuk u përball me drejtësinë në Beograd për të gjitha krimet që ai kreu atje", tha Drashkoviç.
Ndërkaq dhimbja e viktimave ishte pjesë edhe e deklaratës së Sulejman Tihiçit, anëtar i presidencës trepalëshe boshnjake.
"Për shkak të viktimave, të vërtetës dhe drejtësisë do të kishte qenë më mirë që ai të jetonte deri në fund të gjykimit", tha Tihiç.
Presidenti kroat Stipe Mesiç tha se "është e trishtueshme që Millosheviçi nuk jetoi që të merrte dënimin që meritonte."
"Verdikt i Zotit" është cilësuar nga kryeministri i Shqipërisë vdekja e atij, që zoti Berisha e quajti "kasapi i Ballkanit".
Sllobodan Millosheviçi prej afro pesë vitesh gjendej para Gjykatës së Hagës për ish Jugosllavinë në akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftërave në Kosovë, Bosnjë e Kroaci.
Muaj më parë Gjykata e Hagës i kishte refuzuar kërkesën për t'u mjekuar në Moskë. Atë botë kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Carla Del Ponte deklaroi se Millosheviçi kishte mjekimin e nevojshëm në Hagë.
"Millosheviçi ka mjekë shumë të mirë në Hagë dhe gjithçka çfarë i duhet për shëndetin e tij", deklaroi Carla Del Ponte.
Me rastin e vdekjes së Millosheviçit Del Ponte nga Haga tha:
"Më vjen thellësisht keq për çfarë ndodhi, para së gjithash, pasi pas më shumë se tre vjetësh të gjykimit, ne po arrinim fundin e gjykimit nga fillimi i kësaj vere. Mendoj se është për të ardhur keq për gjithë dëshmitarët, të mbijetuarit, për gjithë viktimat që prisnin drejtësi. Por tani na duhet të presim rezultatet e autopsisë e të shohim se cilat janë shkaqet e vdekjes", tha Del Ponte.
Millosheviçi vetë ka përdorur taktika të shumta për ta shtyrë gjykimin, i cili ka filluar më 2 shkurt 2002. Dhe duket se taktikat e tij kanë funksionuar, çfarë solli që ai të mos dënohej asnjëherë për krimet për të cilat akuzohej.

XS
SM
MD
LG