Ndërlidhjet

HAGË


Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, tha se vdekja e Sllobodan Millosheviqit i privoi viktimat nga drejtësia. Duke folur gjatë një konferencë për gazetarë në hagë, ajo tha se nuk mund ta përjashtojë mundësinë që Millosheviqi të ketë bërë vetëvrasje. Por, ajo tha se dëshiron të presë për rezultatet e autopsisë që po bëhet sot. "Pres disa rezultate deri sot në mbrëmje ose nesër paradite, por rezultatet për testeve toksikologjike mund të zgjasin më tepër", tha Del Ponte, ndërsa i hodhi poshtë fjalët se Millosheviq është helmuar derisa ishte në qendrën e paraburgimit. "Mendoj se duhet t'i presim rezultatet e autopsisë që fillon sot, kështu që derisa të mos i kemi ato, kjo është absolutisht thashethënë dhe nuk do ta komentoj", tha Del Ponte.
Vdekja e tij pak para përfundimit të procesit, e bën edhe më të ngutshëm arrestimin dhe ekstradimin e Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit, tha Del Ponte.
Po sot, avokati i tij Zdenko Tomanoviq, tha se Millosheviqi e ka dërguar një letër në Rusi një ditë para vdekjes, në të cilën ka thënë se po i jepen ilaçe të gabuara dhe ka kërkuar ndihmë.
Ndërkaq, në reagimin e tij lidhur me vdekjen e Millosheviqit, ish diplomati amerikan, Richard Holbrooke, i cili ka ndihmuar për Marrëveshjen e Dejtonit, tha se kurrë nuk ka menduar se ai do të jetë njeri i lirë. "Ai i ka filluar 4 luftëra, e ka shkatërruar Evropën Juglindore. Shkaku i tij kanë vdekur mbi 300 mijë njerëz dhe 2 milion e gjysmë kanë mbetur pa shtëpi. Ai nuk do të donte të mbante shumë vite burg, dhe e pagoi duke i dhënë fund jetës", tha Holbrooke.
XS
SM
MD
LG