Ndërlidhjet

BEGU: AFARIZMI I RREZIKSHËM MBYLL BANKËN KREDITORE TË PRISHTINËS


Ajri Begu, drejtor i Bordit të Autoritetit Bankar dhe Pagesave të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Begu, sa banka komerciale funksionojnë sot në Kosovë dhe cila është gjendja e tyre?

AJRI BEGU
Deri më sot ne kemi pasur shtatë banka. Sot fatkeqësisht, siç edhe keni mundur të informoheni, jemi detyruar që në përputhje me rregulloren e BPK-së t'i marrim liçencën, një banke. Kurse gjashtë bankat e tjera mund të konstatojmë se janë solvente, janë likuide dhe po vazhdojnë aktivitetin në tregun financiar të Kosovës. Pra një banke sot ia kemi marrë liçencën.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë arsyet e mbylljes së Bankës Kreditore dhe a ka gjasa që kjo t'i ndodhë edhe ndonjë banke tjetër?

AJRI BEGU
Nuk do mend se edhe afarizmi bankar, është si çdo afarizëm tjetër, me rreziqet e veta. Ne si autoritet mbikqyrës i bankave komerciale kemi për qëllim të kujdesemi që bankat të mos dështojnë, të veprojnë në përputhje më rregulloret e BPK-së, t' i respektojnë këto rregulla. Në asnjë mënyrë natyrisht të mos lejojmë që të cenohen depozitat e qytetarëve. Në frymë të gjithë kësaj, për shkak se kemi gjetur parregullsi, për shkak se kemi vërejtur se mund të rrezikohen depozitat e qytetarëve, për shkak se anëtarët e bordit, por edhe të menaxhmentit kanë afaruar në shkallë të lartë të rrezikut, atëherë ne jemi detyruar përkundër vërejtjeve paraprake që i kemi bërë, dhe të cilat nuk kanë rezultuar me sukses, të marrim masën e skajshme të marrjes së liçencës së Bankës Kreditore të Prishtinës, që të mbrojmë depozitorët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Begu, po çfarë do të ndodhë atëherë me klientët e kësaj banke ?

AJRI BEGU
Ne ua kemi bërë të qartë menjëherë të gjithë klientëve në llogaritë e tyre,për shkak se nuk kemi dëshirë që të ekspozojmë kundër rrezikut që t'u bëhet pagesa në kesh, në llogaritë dhe në bankat të cilat ata do të preferojnë menjëherë do t'u bëhet pagesa e parë me nga 1000 euro. Pastaj do të fillojë të alimentojë kërkesat e tyre, natyrisht në shkallën sa Banka Kreditore e mundëson atë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndryshe, zoti Begu, ka pasur paralajmërime se brenda këtij viti BPK edhe formalisht të shndërrohet në bankë qendrore. Deri ku është arritur kjo?

AJRI BEGU
Po t'u them se finalizmi i rregullores apo i ndryshimit të rregullores ekzistuese është në proces, ne presim që së shpejti të vijë pëlqimi nga selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këto ndryshime në fakt do të përcjellin, unë preferoj të them, realitetin politik në Kosovë për këtë fazë dhe le të presim deri atëherë.

RADIO EVROPA E LIRË
Vitin e kaluar është paralajmëruar “kosovarizimi“ i BPK-së, a mendohet për bartjen e kompetencave, që drejtori i përgjithshëm i BPK-së të jetë kosovar?

AJRI BEGU
Procesi i kosovarizimit ka pasur për qëllim që sa më shumë vendorë të marrin pozitat udhëheqëse qeverisëse apo në menaxhmentin e BPK-së. Të them në piramidën e menaxhmentit vetëm pozicioni i drejtorit të përgjithshëm ka mbetur i huaj, kurse të gjitha funksionet e tjera janë vendore. Kryetari i bordit është shqiptar, kështu me termin e kosovarizimit ne kemi nënkuptuar marrjen apo përfshirjen e kuadrove vendore në menaxhimin me BPK-në. Tash vetëm pozicioni i menaxherit është i huaj, dhe kështu do të jetë edhe për një kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe sa kohë mendoni, zoti Begu ?

AJRI BEGU
Ajo është çështje politike të cilës unë nuk mund t'i përgjigjem, është çështje e institucioneve të përkohshme të Kosovës dhe Përfaqësuesit Special të Kombeve të Bashkuara.

Intervistoi: Nadie AHMETI

XS
SM
MD
LG