Ndërlidhjet

KLINA- RAST I KTHIMIT TË QËNDRUESHËM


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Komuna e Klinës është ndër komunat prijëse të Kosovës në çështje të kthimit të të zhvendosurve. Zyrtarët e kësaj komune thanë se kthimi po tregohet i qëndrueshëm dhe kjo ka ndikuar pozitivisht te të zhvendosurit e tjerë. Vetë të kthyerit thonë se nuk kanë probleme të sigurisë dhe jetojnë nga puna e tyre. Nebojsha Vuliçeviq, bashkëshortja e tij dhe tre fëmijët e tyre janë ndër të parët që janë kthyer në Videjë, fshat ky që ndodhet rreth 2 kilometra nga Klina. Ata janë kthyer në shtator të vitit 2004, në këtë fshat, ku përveç 40 familjeve serbe, jetojnë edhe shqiptarë, si dhe një familje rome.
Në të njëjtin oborr janë tre familje. Përveç Nebojshës, aty janë edhe i ati dhe e ëma e tij me një djalë të moshës jomadhore, si dhe gjyshja Nenadija. Në shtëpinë tjetër është vendosur një kushëri i tyre.
Kjo, si dhe 39 shtëpi të tjera, janë ndërtuar nga mjetet e qeverisë së Kosovës, të cilat i ka implementuar programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).
"Probleme dhe nevoja ka sa të duash", thotë Nebojsha, duke numëruar papunësinë, si dhe mungesën e një informimi adekuat dhe të drejtë. Ai thotë se në fillim kanë nevojë për ndihmë materiale dhe morale. Ai thotë se ka marrë një mikrokredi pa kthim në shumë prej 2 mijë eurosh dhe "ato mjete i kam bashkuar me babanë dhe me një fqinj, dhe kështu kam ndërtuar një fermë të vogël për të majmur gjedhe“, thotë Nebojsha, duke treguar oborrin ku ndodhet ahuri i vogël, i cili deri më tash i ka sjellë një fitim që nuk është për t'u nënvlerësuar. Ai edhe më parë ka jetuar nga bujqësia. Tokën, rreth dhjetë hektarë, i kanë jo më larg se një kilometër nga shtëpia dhe shkojnë lirisht për ta punuar atë.
"Çdo fillim është i vështirë, por tash situata është shumë më e mirë dhe unë sipas nevojës shkoj një apo dy herë në muaj për të blerë ndonjë gjë dhe që të furnizohem me disa çikërrime," thotë Nebojsha Vuliçeviq, për të shtuar se tash për tash u shmangen vendeve ku mund të krijohen probleme, si kafeteritë dhe vendet e tjera ku tubohen shumë njerëz. Prandaj Nebojsha Vlçeviq fton dhe bashkëkombësit e tij të tjerë që të kthehen në shtëpitë e tyre.
Milorad Shahoviq zyrtar për kthim në komunën e Klinës thotë se interesimi për kthim në këtë komunë është i madh:
"Ajo që është bërë deri më tash ka pasur ndikim shumë të madh pozitiv tek ata që janë të zhvendosur dhe në qëndrimin e tyre për t'u kthyer," tha Shahoviq, për të shtuar se rezultatet e shënuara në komunën e Klinës kanë shtuar masivisht numrin e të interesuarve për kthim.
Me të pajtohet edhe Gjelosh Berisha, koordinator i kthimit në Klinë, i cili thotë se kërkesat për kthim janë larg më të shumta sesa mundësitë reale materiale për të përballuar kthimin.
"Komunat e vogla kanë një buxhet të limituar, e për fat të keq edhe komuna e Klinës ka një buxhet të tillë, që nuk ka mundur shumë të kontribuojë për punësimin e të gjithë qytetarëve, shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve. Janë probleme të natyrës që tash për tash nuk ka mundësi të punësojmë."
Zoti Berisha tha se familjet kanë marrë disa pajisje, si mjetet e punës, ndonjë pajisje për saldim, mjete bujqësore, ndonjë automjet dhe kafshë, mirëpo këto nuk i mundësojnë krijimin e të ardhurave të qëndrueshme. Zoti Gjelosh Berisha tha se nuk ka pasur ndonjë rast që serbët t'i kenë shitur shtëpitë e rindërtuara, që do të thotë se deri më tash kthimi po tregohet i qëndrueshëm.
Në këtë komunë, në qytezën e Klinës , janë kthyer 30 familje serbe, pjesëtarët e të cilave thanë se nuk kanë ndonjë problem të theksuar sa i përket sigurisë.

XS
SM
MD
LG