Ndërlidhjet

PTK-JA NDOSHTA HUMBËSI MË I MADH NGA MBYLLJA E BKP-SË, THONË EKSPERTËT


Albana Isufi, Prishtinë

Ekspertët ekonomikë shtrojnë dilemën nëse ka reaguar apo jo në kohë Autoriteti i Bankave dhe i Pagesave në marrjen e liçencës Bankës Kreditore të Prishtinës, bankë kjo, që për një kohë nuk ka arritur të shtojë kapitalin e saj, duke rrezikuar kështu humbjen e depozitave të klientëve.
Eksperti i ekonomisë Ibrahim Rexhepi, thotë se BPK-ja është dashur të reagojë më herët.
"Marrja e liçencës së Bankës Kreditore megjithatë tregon se nuk ka diçka të shëndoshë edhe në sistemin bankar të Kosovës. Por problemi i parë është vetë mënyra e menaxhimit dhe vetë mënyra e strukturimit të bankave. Së dyti BPK-ja është mjaft e ngadaltë në mbikqyrjen dhe kontrollin e bankave komerciale që janë në Kosovë."
Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike Besim Beqaj, e sheh si një pjekuri të sistemit bankar mbylljen e Bankës Kreditore të Prishtinës.
“Kjo tregon një pjekuri të sistemit bankar të Kosovës që ne në kohë mundemi t'i presim gjërat. Është e dhimbshme, por është më mirë t'i presim sesa të zhvillohen në sisteme piramidale."
Autoriteti i Bankave dhe i Pagesave ka premtuar se 95 përqind e mjeteve të depozituara në bankën tashmë të mbyllur do t’u kthehen klientëve. Por, mbyllja e bankës ka rritur frikën tek qytetarët që kanë mjetë të depozituara në bankat kosovare. Besim Beqaj thotë se nuk ka vend për panik.
“Nuk ka rrezik dhe nuk është vend për panik sepse thjesht nëse është një menaxhment i keq i një banke, është më mirë të këputet. Unë kam qenë i interesuar të di a është bërë mbyllja e bankës me kohë, që mos të hyjë në sferën e piramidave të sistemit bankar dhe kjo është garantuar që është me kohë."
Ibrahim Rexhepi sugjeron se qytetarët nuk do të duhej të fillonin me tërheqjen e menjëhershme të parave nga bankat e tjera.
“Realisht ku do të mbeten paratë nëse nuk janë në qarkullim bankar? Bankat falimentojnë edhe në vende të tjera të botës. Mirëpo atje megjithatë është një traditë, ka më shumë transparencë dhe nejrëzit mund ta dinë në përgjithësi sa është shkalla e rrezikut në ato banka".
Një nga depozituesit më të mëdhenj të Bankës Kreditore të Prishtinës ka qenë Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës. Rexhepi thotë se PTK- ja do të jetë ndër humbësit më të mëdhenj.
“PTK-ja merr pjesë me 40 përqind në totalin e depozitave të Bankës Kreditore. Kështu nëse dikush digjet, ajo mund të jetë PTK-ja dhe jo depozituesit e tjerë. Sepse nga kjo del se realisht depozituesit e tjerë kanë patur mjete të vogla të depozituara".
Besim Beqaj ndërkaq, thotë se bankat nuk duhet të lejojnë që një institucion i vetëm të depozitojë me shumë se 20 përqind në një bankë, dhe anasjelltas.
“Është rreziku i dyanshëm. Është rreziku i bankës që të bazohet vetëm në një klient, pasi klienti mund të falimentojë, respektivisht mund të falimentojë banka dhe klienti të ketë pasoja".
Banka Kreditore e Prishtinës ka marrë pjesë në sistemin bankar të Kosovës me rreth 5 përqind. Moskthimi i kredive thuhet të jetë shkaktari kryesor që ka çuar në falimentimin e bankës.
Ndërkohë, në fund të javës likuidatori do të fillojë të kryejë pagesat e para klientëve të Bankës Kreditore. Pagesat e tjera do të kryhen pasi kreditë e lëshuara nga Banka Kreditore të kthehen dhe asetet e bankës të shiten.
Në rast se likuidimi i bankës nuk sjell mjete të mjaftueshme për t’i mbuluar depozitorët e mbetur, atëhere depozitorët e mëdhenj mund të kenë humbje, ka njoftuar Autoriteti Bankar i Pagesave.
XS
SM
MD
LG