Ndërlidhjet

WELCH: PAPUNËSIA SFIDA MË E MADHE PËR SIGURINË NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Papunësia dhe zhvillimi i ngadalshëm ekonomik paraqesin shqetësimet kryesore të kosovarëve, të cilat besohet se paraqesin dhe kërcënim serioz për sigurinë e brendshme në Kosovë, ka thënë sot Anthony Welch, koordinator i sektorit të brendshëm të sigurisë në Kosovë, që funksionon në kuadër të zyrës së kryeministrit të Kosovës. Ai tha se ky këshill ka zhvilluar 32 takime konsultative nëpër të gjitha komunat e Kosovës, ku janë paraqitur shqetësime nga më të ndryshmet, ku pakicat kanë kërkuar siguri më të madhe, kurse shumica është angazhuar për një sistem më të zhvilluar të drejtësisë dhe për një qeveri më efikase.
“Ka shqetësime se këtu ne kemi një sistem të dobët të drejtësisë dhe se Kosovës i duhet një qeveri më e fuqishme dhe një administratë publike më pak e politizuar dhe mbi të gjithat besohet se ka nevojë për një zbatueshmëri më efikase të ligjit këtu në Kosovë”, theksoi Welch.
Ai tha se nuk dëshiron t’i ndajë perceptimet e shumicës dhe pakicave, por se te komunitetet vërehet një shqetësim i vazhdueshëm për sigurinë e tyre.
“Çështjet ekonomike paraqesin shqetësimet kryesore, pasi që ka aq shumë njerëz të papunë dhe ata janë të shqetësuar se çfarë të ardhme do të kenë dhe të gjitha këto padyshim që reflektojnë në sigurinë e brendshme në Kosovë”, tha Welch.
Të gjitha këto perceptime të qytetarëve ai tha se ua ka paraqitur dhe do t’ua paraqesë instancave më të larta të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare. Këto ditë, Welch tha se ka biseduar me presidentin Fatmir Sejdiun dhe kryeministrin Agim Çeku, si dhe me kryenegociatorin për statusin Marti Ahtisari. Puna e tij, përfundon me dhënien e rekomandimeve për reformat që i duhen Kosovës në fushën e sigurisë, duke tërhequr vëmendjen në çështjet që paraqesin kërcënim për sigurinë e brendshme gjatë pesë deri në dhjetë viteve të ardhshme. Sidoqoftë, misioni i këtij sektori mbetet i varur shumë dhe nga zgjidhja e statusit të Kosovës. Vetëm pas zgjidhjes së statusit, Welch thotë se do të mund t’u rekomandojë institucioneve shkallën e masave që duhet të ndërmerren për zbatimin e reformave në fushën e sigurisë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG