Ndërlidhjet

THAÇI: DINAMIZOHET PROCESI I DECENTRALIZIMIT


Hashim Thaçi, kryesues i delegacionit të Kosovës për bisedimet e Vjenës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, fillimisht delegacioni i Kosovës për bisedat lidhur me decentralizimin ka pësuar ndryshime, kryesori prej të cilëve është emërimi juaj në krye të delegacionit. Çka ka ndikuar për këto ndryshime?

HASHIM THAÇI
Unë mendoj se kjo është përgjegjësi të cilën ka vendosur për ta kryer si delegacion i Kosovës, një përgjegjësi që tregon se procesi është duke u futur në një dinamikë të re, me përgjegjësi të reja, me përkushtim më të lartë në raportin e Prishtinës me komunitetin ndërkombëtar. Kështu që unë vlerësoj se Prishtina është mjaft mirë e organizuar dhe unike në qëndrimet e veta për reformimin e pushtetit lokal kësaj radhe dhe, në kuadër të kësaj, hapjes së perspektivës për nxjerrjen e vendimit të drejtë nga komuniteti ndërkombëtar për shtetin e pavarur dhe sovran.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilësinë e udhëheqësit të delegacionit, si i vlerësoni përgatitjet që janë bërë?

HASHIM THAÇI
Unë sapo përfundova një takim me grupin politik strategjik dhe me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, ku morën pjesë edhe disa anëtarë të delegacionit të Kosovës. U dëgjuan vërejtjet dhe sugjerimet e fundit, të cilat do të respektohen dhe vendimi përfundimtar sa u përket qëndrimeve përfundimtare do të nxirret nesër në takimin e delegacionit të Kosovës. Por mund të them përsëri se jemi të përgjegjshëm, të organizuar mirë si spektër politik dhe profesional i Kosovës e mbi të gjithë ka një harmonizim të qëndrueshëm të qëndrimeve të delegacionit të Kosovës që do të prezantohen në takimin me ndërkombëtarët në Vjenë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, çështjet që do të diskutohen në takimin e të premtes vlerësohen paksa më të ndjeshme sesa ato të takimit të parë. Cilat janë gjasat për një pajtueshmëri qëndrimesh të të dyja palëve?

HASHIM THAÇI
Qëndrimi i Prishtinës është i qartë. Ne kemi punuar dhe vazhdojmë të këmbëngulim që në Kosovë të ndodhë reformimi i pushtetit lokal sipas standardeve ndërkombëtare, një reformim i pushtetit lokal që do të nënkuptonte integrimin e minoritarëve dhe jo modelin e ndarjes, një reformim që si model do të nxirreshin elementet e Marrëveshjes së Ohrit, që do të thotë një reformim integrues, ku do të respektohet parimi qytetar dhe etnik, një reformim që do të nënkuptonte edhe ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, ndarjet jo të brendshme territoriale, apo pretendime për autonomi territoriale, por thjesht një integrim sipas standardeve më bashkëkohore perëndimore.

RADIO EVROPA E LIRË
Në letrën e zotit Rohan thuhet se do të diskutohet edhe për lidhjet ndërmjet komunave në Kosovë dhe për mekanizmat e lidhjeve komunale ose qendrore me jashtë Kosovës. Cili është qëndrimi i palës kosovare për këto lidhje?

HASHIM THAÇI
Këto janë opinione të ngritura, mirëpo në Kosovë do të ketë dy palë pushtete – pushteti qendror dhe ai lokal dhe kurrsesi një pushtet të tretë.

RADIO EVROPA E LIRË
A e rrezikojnë lidhjet e tilla tërësinë territoriale të Kosovës?

HASHIM THAÇI
Lidhjet e tilla nuk do të ndodhin. Në Kosovë nuk do të ketë pushtet të tretë, por pushtet qendror dhe pushtet lokal.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi cili është qëndrimi juaj për çështjen e Mitrovicës, pasi ka zëra që thonë se ajo duhet të diskutohet në kuadër të bisedave për decentralizimin?

HASHIM THAÇI
Mitrovica është pjesë e Kosovës. Me zgjidhjen e statusit të Kosovës do të zgjidhet edhe çështja e Mitrovicës, ku do të kemi një prani të theksuar ndërkombëtare. Ne duhet të punojmë të gjithë që të kemi një administratë unike që do të dalë nga zgjedhjet e lira, një administratë që do ta ushtrojë autoritetin e vet në tërë territorin e Mitrovicës dhe Prishtina assesi nuk duhet të lejojë që puna e Mitrovicës të bëhet pjesë e negociatave me askënd. Mitrovica është pjesë e Kosovës dhe do të ruhet autoriteti dhe integriteti territorial i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund zoti Thaçi a besoni se ky do të mund të jetë raundi i fundit i bisedimeve për decentralizimin dhe të shkohet në çështje të tjera, apo si e vlerësoni në përgjithësi ritmin e bisedave për statusin?

HASHIM THAÇI
Unë vlerësoj se ky takim nuk do të jetë as i fundit, por mund të jetë vazhdimësi e gjërave të mëhershme, por me një dinamizim më thelbësor. Sido që të jetë, unë jam optimist se Prishtina do të dalë mirë, do të ruajë bashkëpunimin me ndërkombëtarët, do të jetë konstruktive, korrekte dhe kreative me qëndrimet e veta.


Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG