Ndërlidhjet

BOB GILLETTE: MEDIAT PO TREGOJNË PJEKURI


Bob Gillette, komisioner i përkohshëm për media

RADIO EVROPA E LIRË
Z. Gillette, keni punuar për afër 3 vjet në Kosovë. Cilat janë sfidat me të cilat tani përballen mediat e Kosovës?

BOB GILLETTE
Sfidat me të cilat përballen mediat këtu, janë të njëjta sikurse edhe në të gjitha vendet e tjera tranzitore, që kanë kaluar nga një regjim autoritar në demokraci. Këto janë, kuptimi i dallimit në mes të propagandës dhe gazetarisë dhe shumë njerëz e kanë kuptuar këtë shumë shpejt. Problemi në të kuptuarit se çka është etika e gazetarisë dhe cili është dallimi në mes të kufizimit të vetvetes në baza etike dhe autocenzurës nuk është gjithnjë i thjeshtë. Por, kërkesat etike, zakonisht janë saktësia, korrektësia, balancimi, dhe nëse i ndiqni këto ju bëni gazetari të mirë. Në 3 vjetët e fundit, besoj se këtu mediat kanë mësuar shumë rreth asaj se si t’i aplikojnë këto parime në praktikë dhe besoj se kemi parë një pjekuri të mediave sikurse edhe të të gjithë shoqërisë. Mendoj se mediat janë shumë më profesionale dhe aset dobiprurës në ndërtimin e demokracisë dhe stabilizimin e Kosovës sesa që kanë qenë para 3 vjetësh.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët propagandën. Keni hasur në raste të tilla këtu?

BOB GILLETTE
Po, mund të gjendet diçka në disa gazeta. Gazetari që më shumë duket e shihet si propagandë, e jo si gazetari. Por, ky është një minoritet, që po zhduket. Mendoj se kemi një sektor shumë konkurrent, të gjallë dhe të fuqishëm mes gazetave, sesa që kemi pasur tre vjet më parë dhe mund të them të gjitha ato po mundohen të bëjnë punë të mirë, të informojnë dhe argëtojnë lexuesit dhe të japin maksimumin për të qenë të saktë. Ata bëjnë korrigjime, kur gabojnë, ata ofrojnë në përgjithësi replikat dhe mendoj se mund të krenoheni se si janë zhvilluar mediat në Kosovë . Ndërsa në mediat transmetuese me shumë pak përjashtime kemi raporte të mira.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë shpesh se toleranca mund të ndërtohet përmes mediave. Sa e kanë arritur këtë synim mediat kosovare?

BOB GILLETTE
Është më lehtë të shkatërrohet toleranca dhe të mbillet frika dhe urrejtja mes njerëzve, sesa të ndërtohet toleranca dhe të inkurajohet dialogu dhe pajtimi. Kjo është punë e rëndë për ta bërë . Megjithatë, po qe se shikohet prapa ne 3 vitet e kaluara, mendoj se kemi pasur një gazetari që ka mbjellë urrejtje, dikund ka viti 2003 -2004, që duket direkt është udhëhequr me qëllim që të inkurajohet frika te komunitet e tjera, veçanërisht te serbët. Por, kjo më nuk po ndodh, dhe arsyeja është se Kosova po e sheh dritën në fund të tunelit. Kjo lëvizje drejt arritjes së synimit të shumicës do të ndodhë shumë shpejt dhe kjo ka shkaktuar një relaksim dhe çdokush po e kupton se statusi do të arrihet dhe sigurohet nëse krijohet dhe mbrohet një Kosovë multietnike.
Dhe mendoj se këtë refleksion e kemi parë edhe në media. Kuptimi i multietnicitetit është një element shumë i rëndësishëm për të ardhmen e suksesshme të Kosovës si një shtet.

RADIO EVROPA E LIRË
A po krijojnë mediat kosovare opinion publik?

BOB GILLETTE
Po, ato po e bëjnë këtë. Shpesh dëgjojmë për tirazhin e vogël të gazetave. Një gazetë e shquar e përditshme nuk shitet me më shumë se 700 ose 800 kopje në ditë. Por, atë që e bën atë të shquar është se kush e lexon atë. Dhe këtu në Prishtinë shumë nga politkbërësit, vendimmarrësit dhe krijuesit e opinionit i lexojnë gazetat dhe ky qarkullim i vogël i gazetave ka efekt ditor, jo vetëm tek lideret kosovarë, por edhe të bashkësia ndërkombëtare për perceptimet e tyre për Kosovën. Kështu që cilësia e lexuesve ose e dëgjuesve ose e shikuesve nganjëherë mbështetet në cilësinë se kush po dëgjon, lexon e shikon, çka bëjnë ata me informacionet që i marrin. Ato(mediat) kanë ndikim dhe krijojnë opinion publik.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa janë të mbrojtur gazetarët gjatë punës së tyre, pavarësisht nëse bëjnë raporte hulumtuese, ose raporte të tjera?

BOB GILLETTE
Po ne ende kemi rastin e pazgjidhur të plagosjes së Fatmire Tërdevcit para dy vjetësh, e cila ishte në muajin e 7 të shtatzanësisë. Ajo ndoshta ka qenë ndër gazetaret më hulumtuese, që ka pasur ndonjëherë Kosova. Unë nuk e fajësoj aspak Fatmirën pse është tërhequr nga raportimi hulumtues pas asaj që i ka ndodhur. Dhe kjo lloj dhune, ndodh edhe më tej. Megjithatë, besoj se gazetarët shkojnë në punën e tyre, pa ndonjë kërcënim serioz. Do të doja që ata që bëjnë raporte hulumtuese, të punojnë më shumë dhe të mbështeten në dëshmi dhe jo thjesht të mbështeten në atë që duket të jenë thashethëme, siç ndodh me ata që bëjnë tani gazetari hulumtuese. Njerëzit duhet të mësojnë se çka në të vërtetë është gazetaria hulumtuese dhe sa e vështirë është që të bëhet.

Intervistoi Albana Isufi



XS
SM
MD
LG